Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme pakistaneze, njoftohet se Islamabadi njeh shtetin e Kosovës, një njohje kjo në përputhje me kërkesat dhe aspiratat e popullit të Kosovës.
Interesat e Pakistanit në Kosovë do të mbrohen nga Ambasada e Pakistanit në Ankara dhe ambasadori i Islamabadit në Turqi ka edhe statusin si ambasador i Kosovës jorezident.
Njohja e pavarësisë së Kosovës u paralajmëruar javën e kaluar, ndërsa lajmi alarmoi Beogradin. Zyrtarët serbë thanë se duhet më shumë punë në parandalimin e njohjeve të reja të Kosovës, sidomos nga vendet islamike.
Ndërkohë, Kosova është në pritje të njohjes zyrtare nga ana e Egjiptit. Zyrtarët egjiptianë njoftuan përgjatë muajit nëntor se po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e njohjes së Kosovës. Ne deklaratat e lëshuara prej tyre, lihej të kuptohet se kjo njohje do të mbërrijë së shpejti.