Gjatë ditës së enjte në qytetin e Manastirit, në mënyrë të qetë prindërit e nxënësve shqiptarë treguan pakënaqësitë dhe padrejtësitë që iu bëhen fëmijëve të tyre në shkollën fillore “Goce Dellçev”. Ata thanë se kushtet në të cilat fëmijët e tyre janë duke ndjekur mësimin janë të mjerueshme dhe prandaj nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë deri sa të zgjidhet kjo çështje. “Fëmijët tanë mësojnë në kushte katastrofale, në një klasë që është e ndërtuar në shekullin 19. Aty ka hapësirë për 25 nxënës, ndërsa aktualisht mësojnë 34 nxënës”, tha, Arben Ismaijlovski, prind. Gjithashtu ata kërkojnë që të mos ketë diskriminim nacional në arsim. Përfaqësuesi i këshillit të prindërve, Sedat Demiri, thotë se kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër institucional. “Ne jemi të vetëdijshëm se bojkotimin i mësimit është i dëmshëm për fëmijët. Por, megjithatë, qëllimi ynë është që të pranohen kërkesat tona. Institucionet e shtetit të mos qëndrojnë shurdhër ndaj kërkesa tona për kushte më të mira mësimi”, theksoi Demiri. Ndërkaq drejtuesit e shkollës fillore “Goce Dellçev” në Manastir thonë se janë të vetëdijshëm se hapësira ku mësojnë nxënësi shqiptar nuk është e përshtatshme dhe se këtë çështje e kanë paraqitur para organeve kompetente prej të cilave presin instruksione të cilat nuk kanë arritur ende. Rreth 70 nxënës nga dy paralelet shqiptare, njëra e klasës së dytë dhe tjetra e klasës së pestë të shkollës fillore “Goce Dellçev”, tani më një javë e bojkotojnë mësimin, për shkak të mungesës së kushteve elementare të procesit arsimor.