Kanë ardhur të gjithë së bashku për pushime në Kosovë nga Gjermania, ku edhe jetojnë tash e 21 vjet.
Mirëpo, kësaj radhe ky pushim ishte tragjik për familjen e Maliq Rashicës nga Studimja e Vushtrrisë.
Djali i tyre i vetëm, Mensuri, u vra në pritë, derisa babanë ia plagosën.
Mensuri, 28-vjeçar, së bashku me prindërit ishte duke shkuar te njëra nga motrat e martuara për darkë. Por udhëtimi i Mensurit përfundoi në fshatin Babimofc kur mbi veturën me të cilën udhëtonte është qëlluar me plumba nga njerëzit që deri para tre muajsh i kishe pasur miq shtëpie.
Mensuri vdes në vend, ndërsa babai i tij, Maliqi plagoset në dorë e nëna që ndodhej në ulësen e pasme të makinës BMW, nuk pëson asnjë lëndim. Por ajo e pa me sytë e saj djalin e hasretit duke dhënë shpirt në prehër të babait.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ndërsa në familjen Rashica në Vushtrri është hapur e pamja për Mensurin. Të afërmit e djalit që u lindi pas pesë vajzave shprehen të tmerruar nga ajo që u ka ndodhur.
Njëri nga axhallarët e Mensurit teksa rrëfen për ngjarjen që i mori jetën nipit, por edhe për ngjarjen që i ka paraprirë vrasjes së Mensurit, nuk përmbahet nga lotët. Por as burrat tjerë e nuk durohen pa derdhur lot. Ata nuk mund të bëhen të fortë përballë një tragjedie të tillë, shkruan “Express”.