www.Zemra.Org

Prokuroria pa prova, kërkon 20 vjet burg për Haradinajn!

Prokurorët e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës kanë kërkuar që Ramush Haradinaj, ish kryeministër i Kosovës, të dënohet së paku me 20 vjet burgim, nën dyshimet për krime lufte.

Të njëjtin dënim, prokurorët kanë kërkuar edhe për dy bashkëluftëtarët e Haradinajt, Idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn.

“Dënimi më i vogël që duhet shqiptuar është 20 vjet burgim”, ka thënë prokurori Pol Roxhers, njofton agjencia e lajmeve AFP, raporton REL.

Mbrojtja ndërkaq ka kërkuar nga Tribunali, që kur ta shpallë Haradinajn të pafajshëm në atë që njihet si rasti më i gjatë në historinë e këtij Tribunali, “të shpallë gjithashtu se ai është i pafajshëm jo vetëm pse prokuroria ka dështuar të provojë rastin, por se është i pafajshëm në kuptimin e plotë të fjalës”.

Avokati i Haradinajt, Ben Emerson tha se jo çdo hero lufte për palën e kundërt është edhe kriminel lufte. “Haradinaj është njeri i ndershëm, që luftoi një luftë të ndershme”, tha Emerson.

Seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e cila filloi të hënën, do të mbahet edhe të martën.

Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Tribunali vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010.

Rigjykimi i pjesshëm, i kërkuar nga Tribunali për gjoja gjetjen e disa provave të reja, është vlerësuar si dështim i prokurorisë, por edhe politizim i këtij procesi gjyqësorë, në përpjekje që sadopak të balancohen krimet e tmerrshme që Serbia ka bërë gjatë luftës në Kosovë.

Ish-komandanti i UÇK-së, për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe bashkëluftëtarët e tij, Balaj dhe Brahimaj, akuzohen për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës”.

Exit mobile version