www.Zemra.Org

Qindra personat zhduken, pak gjenden

Sipas informatave zyrtare në ueb-faqen e Ministrisë për Punë të Brendshme, me qindra persona në vit regjistrohen në listën e të zhdukurve në njësisë për hetime pranë MPB-së.

Për fat të keq, i madh është numri i personave të cilët gjenden të vdekur, ndërsa akoma më keq janë rastet e familjeve të cilët me vite të tëra nuk kanë dëgjuar për më të afërmit e vet të zhdukur.
Nga viti 2000 deri vitin e kaluar, si të zhdukur janë paraqitur 51 fëmijë. Nga ato, janë gjetur 49, prej të cilëve katër janë gjetur të vdekur. Sipas moshës, më tepër nga të zhdukurit i takojnë moshës prej 19 deri 50 vjet. Në gjini nuk ka ndonjë dallim drastik, thuajse i njëjtë është numri i gjinisë femërore dhe mashkullore.
Numri më i madh i të zhdukurve sipas analizave të MPB-së, ndodh në periudhën e pranverës dhe verës. Sipas po të njëjtave të dhëna, momentalisht si të zhdukur në këtë ueb-faqe janë tre të mitur: Mirsada Helldoviq, Mitat Ibraimi dhe Dane Memedi, për të cilët njësitë speciale të policisë janë angazhuar për gjetjen e tyre por pa rezultate. Pas fëmijëve të tyre janë në kërkim edhe prindërit e të zhdukurve. Më i moshuari prej tyre është Mitat Ibrahimi, i lindur në vitin 2002, i cili u zhduk në mars të këtij viti, në Konjare të Mesme të Shkupit. Po ashtu në mars të këtij viti u zhduk edhe Dane Memedi, i lindur në vitin 2005 në Kumanovë, së bashku me moshataren e tij Mirsada Helldoviq, e cila u zhduk nga fillimi i marsit të këtij viti.
Nga fillimi i vitit 2008 në periudhë prej 18 muaj janë zhdukur gjithsej 145 persona, ku 127 prej tyre janë gjetur, ndërsa 26 kanë qenë të vdekur, kryesisht më të moshuar mbi 50 vjeç. Kështu në vitin 2008 për të zhdukur janë paraqitur gjithsej 111 persona, prej të cilëve 50 meshkuj dhe 61 femra, pesë prej tyre kanë qenë fëmijë dhe 29 të mitur. Vitin e kaluar, në MPB janë regjistruar 31 zhdukje, ndër të cilët një fëmijë dhe pesë të mitur. “Dukuria e zhdukjes së personave është dukuri evidente ne të gjitha shtetet post komuniste dhe post socialiste, ku shumë rrethana ndikojnë në paraqitjen e kësaj dukurie, si krimi i organizuar, korrupsioni e të tjerë”, vlerëson eksperti i çështjeve juridike Osman Kadriu. Ai thekson se në mosfunksionimin e shtetit juridik janë evidentë zhdukjet, ku cënohet jeta e njeriut, e cila bën pjesë në kuadër të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Exit mobile version