“Shtyllat kryesore të programit të RDK-së do të jenë avancimi i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve por edhe të qytetarëve të tjerë të Maqedonisë. Programi ynë partiak synon të realizojë aspiratën shqiptare e të qenurit popull shtetformues në Maqedoni, duke respektuar tërësinë territorial të shtetit, e që mund të quhet ndryshe edhe si federalizim jo-territorial me mekanizma të demokracisë konsensuale dhe me decentralizim përmbajtjesor të pushtetit, zyrtarizim të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet dhe ndarje proporcionale të buxhetit në investimet kapitale”, tha mes tjerash Rufi Osmani.
Kryetari Osmani rikonfirmoi idenë e unifikimit të faktorit politik shqiptar nëpërmjet një blloku të përbashkët pas përfundimit të procesit zgjedhor, me çka shqiptarët në negociata për formim të qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, do të vepronin prej një pozicioni më të fuqishëm. Ai propozoi dy momente shumë të rëndësishme në këtë drejtim: zbatimin e zgjedhjeve korrekte duke nënshkruar një memorandum parazgjedhor, si dhe participimi ose mosparticipimi në qeveri i të paktën dy partive më te mëdha shqiptare, varësisht nga rezultati zgjedhor.
Delegacioni i lobit shqiptar duke shfaqur përkrahjen për programin e Rilindjes Demokratike Shqiptare, shprehu nevojën e unifikimit të pozicioneve në lidhje me çështjet kyçe me interes të shqiptarëve, duke shprehur përkrahjen e tyre ndaj subjekteve politike të cilat kanë si përcaktim të vetin realizimin e aspiratave për avancim të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, me theks të veçantë avancimin e pozitës së shqiptarëve deri në nivel të popullit shtetformues dhe të barabartë me maqedonasit.
Delegacioni shqiptaro amerikan është takuar edhe me kreun e Demokracisë së Imer Selmani.Në një takim shumë miqësor, Sherifi dhe përfaqësuesit tjerë të KSHAI-it Kreut të DR-së, Selmani ia prezantuan platformën politike me të cilën do të tentojnë të unifikojnë faktorin politik shqiptar në Maqedoni rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me statusin juridiko-politik të tyre.