www.Zemra.Org

Shkolla e Forinës do të mbajë emrin e dëshmorit Shpend Iseini

Në seancën e 30-të të Këshillit të Komunës ë Gostivarit, këshilltarët komunalë njëzëri miratuan vendimin për pavarësimin e shkollës fillore të fshatit Forinë, shkollë kjo e cila do ta mbajë emrin e dëshmorit të flamurit dr. Shpend Iseini.

Për mëvetësimin e shkollës fillore të fshatit Forinë, e cila deri më tani ka funksionuar në kuadër të SHF “Përparimi” të fshatit Çegran, janë marrë pëlqimet e nevojshme nga Ministria e arsimit dhe shkencës, ndërsa me miratimin e vendimit nga ana e këshilltarëve komunalë, mundësohet që e gjithë procedura të përfundojë deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2012/2013.

Këshilltarët komunalë, njëzëri miratuan edhe plotësimin e Programit për sport të Komunës së Gostivarit dhe Vendimin për mbështetje financiare të KF “Gostivari”, me çka nga buxheti i komunës do të ndahen 2,5 milion denarë (mbi 40 mijë euro), për të mbështetur këtë klub në synimet e tija për plasim në ligën e parë të futbollit të Maqedonisë.

Këshilli i komunës, në seancën e vet të 30-të, dha dritë jeshile për subvencionim të ndërmarrjes publike “Komunalec”, si dhe emëroi anëtarë të rinj të Këshillit drejtues dhe Komisionit mbikëqyrës të Fondacionit ITC – Gostivar, si dhe miratoi vendime për inkorporim të disa objekteve të ndërtuara pa leje në dokumentacionin planor urbanistik.

Exit mobile version