Momentalisht, nuk ka paralajmërime për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa presioni mbi Beogradin po rritet pothuajse çdo ditë, dhe kjo vërehet nga deklaratat e zyrtarëve të paemëruar evropianë në Bruksel.
Ata, nëpërmjet mediave, porosisin se në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së më 27 shkurt, Serbia nuk do të marrë statusin e kandidatit nëse Beogradi gjatë javën tjetër nuk arrin marrëveshje me Prishtinën për përfaqësimin rajonal të Kosovës, shkruan e përditshmja “Politika” e Beogradit.
Sipas burimeve të kësaj ditoreje, në qarqet diplomatike gjermane edhe më tutje mbizotëron qëndrimi në lidhje me përmbushjen e kushteve për kandidaturën e Serbisë, ku përmendet edhe heqja dorë nga insistimi i Serbisë në Rezolutën 1244. Për këtë, ata thirren edhe në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, përkitazi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.