Lajmi mbi fatin dhe gjendjen e mjerueshme të familjes së komandant Telit që u publikua në gazetën “KOHA”, ka tronditur opinionin publik. Vetëm tre ditë pasi u publikua rasti, fal gatishmërisë dhe vullnetit të mirë të qytetarëve human, është rikthyer shpresa për një jetë më të mirë në sytë e fëmijëve të Lefter Koxhajt-Telit, Letjanit dhe Rexhinës së vogël. Krahas ndihmave të tjera në mjete financiare, një mërgimtar nga rrethina e Gostivarit që jeton dhe vepron në Gjermani, ka shprehur gatishmërinë e tij për të mbuluar të gjitha shpenzimet për blerjen e një banese në Tiranë. Bëhet fjalë për pronarin e kompanisë ndërtimore “Lato Gerustbau”(emri i të cilit është i njohur për redaksinë) nga Gjermania. Nga modestia, drejtuesit e kësaj kompanie nuk kanë pranuar të bëjnë prononcim publik rreth vendimit të tyre human për të ndihmuar familjen e dëshmorit të kombit Lefter Koxhaj, duke pohuar që mbështetja vjen në emër të Zotit dhe sakrificës së dëshmorit i cili nuk kurseu as jetën për të mirën e gjithmbarshme të kombit shqiptar.
Nga Këshilli iniciativë për mbështetje të familjes së dëshmorit Lefter Koxhaj, shprehen tejet të kënaqur nga jehona dhe gatishmëria e njerëzve të vullnetit të mirë për të ndihmuar familjen e tij. Sipas tyre, vet fakti që brenda një kohe kaq të shkurtër u arrit të grumbullohen fonde të mjaftueshme për të blerë banesën, dëshmon që interesimi i njerëzve për të kryer një obligim kaq fisnik ndaj një familje të një dëshmori, ka qenë i jashtëzakonshëm. “Jemi shumë të kënaqur nga rrjedha e kësaj iniciative. U nisëm ne emër të Zotit dhe me sinqeritetin më të madh për t’i ofruar ndihmë familjes së dëshmorit tonë kombëtar Lefter Koxhaj. Me ndihmën e Zotit dhe njerëzve të vullnetit të mirë, u arrit që brenda 3 ditëve të grumbullohen mjete të mjaftueshme që të mund të blihet një banesë për fëmijët e tij.
Një bashkëkombës i yni me punë të përkohshme në Gjermani, ka shprehur gatishmëri që të paguan tërësisht blerjen e një banese në Tiranë. Po ashtu, brenda kohës ka pasur edhe shumë persona të tjerë që donuan mjete me nijetin e tyre për t’i ndihmuar kësaj familje. Shprehim mirënjohje edhe për ju si medium që e morët me shumë seriozitet trajtimin e këtij rasti dhe ishit mediumi i vetëm ma karakter nacional që u morët me këtë temë”, theksoi për gazetën “Koha”, Arben Elezi, njëri nga iniciatorët e kësaj nisme.
Por ndihma e mërgimtarit nga Gostivari, nuk ka qenë mbështetja e vetme për familjen e komandant Telit. Një ditë pas publikimit të rastit, arritën edhe ndihma të tjera. Ndër ta, ishte edhe kontributi i familjes Sadiku nga fshati Sërmnovë e Gostivarit. Ato ndihmuan familjen e komandat Telit me mbi 5 mijë euro. “Kur lexuam lajmin në gazetën tuaj se në çfarë gjendje ndodhej familja e Komandantit tonë legjendar, u prekëm të gjithë anëtarët e familjes. Si mos të na dhimbset kjo familje kur njeriu më i dashur i tyre flijoi jetën për të mirën e kombit tonë. Ne e njohim fortë mirë kontributin e komandant Telit që ka dhënë në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe së fundit në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë. Është mëkat që të qëndrosh indiferent mbi fatin e familjes së tij dhe të shohësh se si familjarët e tij ndodhen në një gjendje të tillë të mjerueshme. Ne si familje me mundësitë që kemi dhe me ato që na ka falë Zoti u ndamë 3 mijë euro. Po ashtu djali që jeton dhe vepron përkohësisht në Austri, gjatë vitit 2012, nëpërmjet xhirollogarisë do t’ua bart në konton e tyre nga 200 euro për çdo muaj”, theksoi Qelebi Sadiku. Ndërkohë, Rilindja Demokratike Kombëtare për këtë rast ka ofruar 500 euro, ndërsa ka pasur edhe qytetarë të tjerë që kanë ofruar ndihmën e tyre.
Familja e dëshmorit Lefter Koxhaj i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si komandant Teli ballafaqohet me një situatë të vështirë. Pasi që ishin larguar nga banesa ku kishin jetuar prej vitesh në Tiranë, pjesëtarët e familjes së tij vazhdonin të endeshin rrugëve pa pasur një adresë se ku banojnë. Përveç problemeve shëndetësore të pasardhësit të komandant Telit, djalit të tij Letjanit të vogël, si pasojë e largimit nga banesa ku jetonin, në momentet e largimit bashkëshortja e tij Rabija kishte kaluar një krizë shëndetësore, pas çka ishte shtruar për shërim në një Spital të Greqisë.
Djali i Telit, për shërim në Gjermani
Këto ditë, Rabija dhe Letjani i vogël do të duhet të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku pritet që Letjani t’u nënshtrohet kontrolleve dhe vendosjes në veshë të aparatit për dëgjim. Sipas drejtuesve të këshillit iniciativ për mbështetje të familjes së dëshmorit Lefter Goxhaj, ka ngelur edhe pak punë deri në sigurimin e mjeteve të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve për shërim të Letjanit në shtetin gjerman.