Njësitet speciale të policisë kanë bastisur në orët e para të mëngjesit shtëpinë e një efektivi të lartë policie në fshatin Koroshishtë të Strugës.
“Afër orës tre të mëngjesit, njësia për ndërhyrje të shpejtë e Shkupit, e armatosur deri në dhëmbë, të maskuar, afro 30 pjesëtarë, erdhën pa asnjë lloj baze e as të më tregojnë para kohe se çfarë ka ndodhur, kanë hyrë, kanë dëmtuar shtëpinë e vëllait, kanë thyer dyert në mënyrë shumë arrogante pa më treguar shkakun. Kur dal jashtë, shtëpia ishte e rrethuar nga pjesëtarë të MPB-së. I pyeta përse kanë ardhur nuk më treguan. Unë iu prezantova që jam koleg i tyre pjesëtar i MPB për 20 e ca vite. Sërish përgjigje nuk kisha nga ana e tyre. Atëherë më thanë cila është shtëpia jote, dhe iu tregova se kjo është e vëllait. E imja është kjo! Hynë në shtëpi, dy fëmijët i morën i mbështetën për muri, nuk iu dhanë mundësi të shpjegoheshin apo të arsyetohen përse, i luta që të lejojnë të vishen fëmijët se është tre e mëngjesit është ftohtë, sërish përgjigje nuk pata nga ata”, tha Nefi Shemshedini, Pronar i shtëpisë.
Pas aktit frikësues, Nefiu ka kërkuar ndihmë edhe nga zv.ministri i brendshëm Zemri Qamili i cili përmes telefonit i është përgjigjur se, rastin do të bisedohet të martën. Shemshedini shprehet gjithsesi, se drejtësinë do e kërkojë në të gjitha instancat e mundshme të drejtësisë.
“Unë kërkoj përgjigje nga eprorët e mi, nga krye-shefi, udhëheqësi, nga zv.ministri, zv.drejtori. Nga askush nuk kam përgjigje përse m’u bë kjo, dhe krejt thonë që nuk janë në dijeni. zv.ministrit i kërkova përgjigje, vetëm pranova mesazh përmes telefonit se për këtë do bisedojnë të martën me zëvendës drejtorin, rashë në kontakt edhe ai ma tha të njëjtën përgjigje, unë nuk e di a është vërtetë koha për të pritur aq ditë?…Në këtë rast po terrorizohet një epror i policisë, një koleg apo punëtor i tyre dhe si më tutje, ne do kërkojmë mbështetje nga vet qytetarët që nuk janë pjesëtarë dhe nuk i dinë rregullat”, u shpreh Nefi Shemshedini, Pronar i shtëpisë.
Ekipi i televizionit Alsat kërkoi të dhëna edhe nga ministria e Brendshme, por zëdhënësi i saj Ivo Kotevski tha se nuk kishte dijeni për ngjarjen, dhe detaje zyrtare mbi to, do të publikohen pas festës. Sipas aktvendimit për bastisjen e shtëpisë së familjes Shemshedini, Gjykata themelore e Strugës e akuzon Nefi Shemshedinin për terrorizëm, bazuar në neni 394 b, për veprën penale të përgatitjes, mbajtjes dhe trafikimit të armëve. Bashkim Sulejmani