Përvec prapaskenave në politikën e brendshme që zbulon Wikileaks në dhjetëra kabllograme të publikuara, ekzistojnë dhe dy të dërguara prej ambasadës amerikane në Athinë dhe misionit amerikan në Kombet e Bashkuara.
Aty citohet presidenti Tadic të ketë folur mbi takimet e tij me Thacin.
Një kabllogram i ambasadës në Athinë i vitit 2006 shkruan se Tadic ka thënë që është takuar shkurt me Hashim Thacin përpara takimit të Internacionales Socialiste dhe se që të dy sipas tij, kishin rënë dakord që kontaktet direkte mes Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës do të ishin të dobishme.
Ndërsa në kabllogramin e misionit amerikan në OKB, i janarit të vitit 2008, thuhet se Tadic ka deklaruar që në Nju Jork kishte takuar Hashim Thacin dhe se do të takohej sërish me të, në përpjekje për të arritur një kompromis për statusin, teksa ankohej se premtimet për pavarësi i kishin bërë shqiptarët jobashkëpunues.
Ndërkohë që nëse i referohemi kabllogrameve të lobimit anti-pavarësi pas 2008-ës, gjuha e diplomacisë serbe merr të tjera nota.
Një kabllogram i vitit 2010 tregon mbi vizitën e ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremic në Austri, ku ai kërkon qartë një zgjidhje sa për të shpëtuar imazhin e Serbisë, teksa kërcënohet nga ministri i Jashtëm austriak se një konflikt mbi Kosovën do të dëmtonte aspiratat e Serbisë për në BE.