www.Zemra.Org

Të sulmuarit sot arrijnë në Shkup!

Jasmin Rexhepi (28) dhe Sami Emini (57) nga Shkupi, si dhe Sead Ramadani (50) nga Sllupçani i Kumanovës të cilët ishin pjesë e karvanit të sulmuar nga komandot izraelite të enjten pritet të arrijnë në Shkup.

Konsulli i Maqedonisë në Izrael, Pajo Aviroviç i ka vizituar të tre shtetasit e Maqedonisë nëpër qelitë e tyre dhe është siguruar se ata janë shëndosh e mirë. Bashkëshortja e Jasmin Rexhepi, Mersiha i ka thënë “Lajm”-it se burri i saj së bashkë me dy shokët e tjerë pritet të arrijë në Shkup të enjten rreth orës 13:00. “Aktualisht ata janë në aeroport dhe pritet të hipin në njërin prej dy aeroplanëve. Sonte (e mërkurë) vonë pritet të arrijnë në Stamboll, ndërsa të enjten do të vijnë në Shkup”, tha Mersiha Rexhepi.
Përkundër gjendjes së mirë shëndetësore, Mersiha ka theksuar se ndaj tyre është bërë presion psikik dhe janë nënçmuar tej mase. “Ndaj tyre ka pasur një përkujdesje jo humane. I kanë maltretuar psiqikisht dhe nuk është treguar asnjëfarë respekti. Kanë qenë të lodhur, të paushqyer, të zbehur dhe të rraskapitur tërësisht”, tha Mersiha, bashkëshortja e Rexhepit.
Sipas saj, ata duart i kanë pasur të lidhura me pranga, shumë të shtrënguara dhe për pasojë u janë ënjtur duart.
Të gjithë e kanë dënuar këtë sjellje jonjerëzore të ushtarëve izraelitë dhe pasi të arrijnë tre shtetasit e Maqedonisë në Shkup, familjarët kanë paralajmëruar protestë për maltretimet e bëra ndaj civilëve që për qëllim kishin ndarjen e ndihmave humanitare.
Rexhepi, Emini dhe Ramadani ishin mes 700 njerëzve në anijet e karvanit humanitar që u sulmua nga forcat speciale të Izraelit, me ç’rast humbën jetën 19 persona, ndërsa 30 u plagosën. Ata janë nisur për në Turqi, ndërsa pastaj për në Gazë përmes organizatës humanitare turke.

Turqia kërkon hetim për sulmin izraelit
Ankarë, 2 qershor – Ministri turk i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu, deklaroi se ardhmëria e marrëdhënieve turko-izraelite do të varet nga Izraeli. Sipas tij, nëse ngrihet bllokadë në Gazë, Turqia është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet e veta me Izraelin.
Ai, ndërkaq, paralajmëroi se, në qoftë se deri në fund të ditës nuk lirohen të gjithë turqit e arrestuar, vendi i tij do t’i rishqyrtojë marrëdhëniet e veta me Tel-Avivin. Deri tani janë liruar 210 turq, kurse në kuvertën e anijeve ka pasur gjithsej 400 turq.
Sipas ministrit Davurogllu, SHBA-ja demonstroi “solidaritet të qartë” me Turqinë, duke e përkrahur deklaratën me të cilën KB-ja e dënoi aksionin e Izraelit.

Exit mobile version