www.Zemra.Org

Ushtari serb refuzon të dëshmojë për vrasjet në Çyshk

ushtarNjë dëshmitar kryesor i prokurorisë në rastin kundër 13 ish-paramilitarëve serbë për krime lufte në Kosovë ka thënë se nuk është “psikologjikisht i gatshëm” për të dëshmuar.

Zoran Raskovic, ish-anëtar i njësisë paramilitare serbe të quajtur “Çakallët” që konsiderohet të jetë dëshmitar kyç në gjyqin e 13 ish-shokëve të luftës për krime lufte të kryera në katër fshatra në Kosovë në vitin 1999, i kërkoi gjykatës të shtyjë dëshminë e tij, duke thënë se nuk është gati për seancën e të hënës.

“U lajmërova sot në orën 12.50 [një orë para fillimit të seancës gjyqësorë] se duhet të dëshmoja. Aftësitë e mia për të dhënë dëshmi janë ulur. Nuk ndihem i gatshëm psikologjikisht”, tha Raskovic në gjykatën në Beograd, transmeton Gazeta JnK.

Në një seancë dëgjimore në dhjetor të vitit 2011, Raskovici tregoi në detaje ngjarjet që dëshmoi në fshatin Çyshk në Kosovë, ku u vranë 44 civilë kur zona u sulmua nga “Çakallët”, njësi të mbrojtjes territoriale serbe dhe rezervistë të policisë, më 14 maj 1999.

Të hënën dhe të martën këtë javë ai pritej të dëshmonte për dhunën në tre fshatra të tjerë, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq.

Prokuroria serbe pretendon se Toplica Miladinovic, Srecko Popovic, Slavisa Kastratovic, Boban Bogicevic, Zvonimir Cvetkovic, Radoslav Brnovic, Vidoje Koricanin, Veljko Koricanin, Abdulah Sokic, Milojko Nikolic, Zoran Obradovic, Dejan Bulatovic dhe Ranko Momic ishin përgjegjës për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve gjatë konfliktit në Kosovë në vitin 1999.

Disa prej tyre këmbëngulën sidoqoftë se dëshmia e Raskovicit nuk mund të besohet.

“Jam tepër i zhgënjyer nga kjo gjykatë. Raskovic nuk ishte në Pavlan, ishte vetëm në Çyshk, dhe në fund shkoi në Zahaq. Është gënjeshtar dhe kriminel. Ky është turp”, tha i pandehuri Momic.

“Si mund t’i besojë gjykata këtij njeriu? Ai është kriminel. U dënua për trafikim droge, kur ishte 14 vjeç”, tha i pandehuri Popovic.

Në fillim të gjyqit, Raskovici ishte dëshmitar i mbrojtur, por më vonë vendosi të refuzojë masat mbrojtëse, duke thënë se u kërcënua dhe shantazhua nga njësia policore për mbrojtje të dëshmitarëve .

Ai bëri akuza të ngjashme në seancën gjyqësore të hënën.

“Po i kërkoj kësaj gjykate të më mbrojë”, tha ai.

“Kam nevojë për mbrojtje, sepse të gjithë këta njerëz janë në gjendje të lirë”, shpjegoi ai, duke iu referuar anëtarëve të tjerë të “Çakallëve” që janë liruar me kaucion, edhe pse gjyqi i tyre vazhdon.

Trajtimi i dëshmitarëve nga njësia për mbrojte të dëshmitarëve që udhëhiqet nga Ministria e Brendshme e Serbisë, është kritikuar nga një numër institucionesh ndërkombëtare, përfshirë OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian.

Exit mobile version