Përveç sirianëve të vrarë janë regjistruar edhe dhjetra njerëz të huaj të vrarë që vijnë nga vende të ndryshme për të luftuar për lirin e popullit sirianë, duke u përballur kështu me dorën gjakatare të presidentit Bashar Al Assad.
Mes tyre janë 10 shqiptarë që kanë humbur jetën deri tani. Muhamet Koprova, 22 vjeç nga Mitrovica, është viktima e fundit në Siri. Javën e kaluar është vrarë duke luftuar në krah të forcave rebele.
Tetë shqiptarë të vrarë janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, ndërsa dy të tjerë janë shtetas sirianë me origjinë nga Kosova.
I pari është vrarë kosovari Naman Demolli, tjetri Musë Ahmeti, i treti është Omer Albani nga Shqipëria dhe i katërti Muhamet Koprova.
Për shqiptarët e tjerë të vrarë ende nuk janë dhënë konfirmime zyrtare për identitetin e tyre.
Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të përfshirë në luftën siriane besohet se është 140 dhe se këta janë të ndarë në dy grupe, në Aleppo.
Autoritet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk dëshirojnë të flasin për këtë çështje ndërkohë që informacionet për jetën e tyre janë të pakta.