Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka raportuar për probleme në terren gjatë hapjes së vendvotimeve dhe dorëzimit të materialit votues. KQZ-ja gjatë ditës në konferenca për shtyp do të njoftojë për rrjedhën dhe masivitetin e votimit, ndërsa është paralajmëruar se në orën 24:00 do të dilet rezultatet preliminare.
Në këto zgjedhje parlamentare, që janë të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të drejtë votë kanë më shumë se 1.6 milion votues. Ata do të mund të hedhin votën në 746 qendra të votimit, me gjithsej 2.280 vendvotime.
Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë 29 subjekte politike, nga të cilat shtatë i përkasin shumicës shqiptare, tetë janë nga radhët e komunitetit serb, katër janë subjekte boshnjake, dy turke dhe tetë subjekte nga pakicat e tjera.
I diskutueshëm mbetet zhvillimi i procesit të rregullt zgjedhor në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse KQZ-ja për këtë anë ka paraparë 114 ekipe mobile. Përfaqësuesit e serbëve të veriut janë shprehur kategorikisht kundër pjesëmarrjes së komunitetit të tyre në zgjedhjet parlamentare, por, megjithatë, zyrtarët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë mbeten optimistë. Për këtë pjesë të vendit, edhe autoritetet e rendit kanë paraparë masa shtesë të sigurisë për të ofruar, siç thuhet, ambient të volitshëm votimi.
Në anën tjetër, janë mbi 32 mijë vëzhgues që do të kujdesen për monitorimin e zgjedhjeve. Prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave si dhe mbi pesë mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare.
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka akredituar pesë mijë monitorues të tërë procesit, ndërsa Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve, ENEMO, ka konfirmuar arritjen e 182 vëzhguesve ndërkombëtarë.
Për të parë nga së afërmi procesin e votimit, në sallën “1 Tetori” Prishtinë kanë qëndruar eurodeputetet Doris Pack dhe Ulrike Lunacek. Ato janë shprehur të kënaqura me fillimin e votimit.
Votimet mbahen për 100 ulëse në Kuvend, pasi që 20 mandate janë paraprakisht të rezervuara – 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera pakicë.
Votimi i mocionit të mosbesimit të Qeverisë dhe rrjedhimisht shpërndarja e Kuvendit më 2 nëntor të këtij viti, kishin çuar në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.