‘’Ngjyra e kuqe’’ është kënga që për momentin po thyen rekordin e shikueshmërisë dhe klikimeve në tregun shqiptar dhe është kështu projekti më i dëgjuar dhe shikuar gjithandej.
E pra pikërisht kjo këngë me të cilën Adrian Gaxha së bashku me Florian Beqirin konkurrojnë në festivalin ‘’Kënga Magjike’’ është bërë mollë sheri mes këngëtarit Adrian Gaxha dhe Flori Mumajesit, ndërsa ky i fundit i ka nisur një mesazh Adrianit, duke e akuzuar atë se ia ka kopjuar idenë e këngës ‘’Tallava’’ me të cilën është shfaqur në “Top Fest”.
Në një moment shumë të sikletshëm është vënë Adriani, i cili me një status në Facebook ka falënderuar Flori Mumajesin për mesazhin e ‘’bukur’’ që i ka nisur, pasi në kohën kur ai ka konkurruar në “Top Fest”, nga ana e Adrianit ka marrë një urim për megahitin e tij, ‘’Tallava’’.
Me gjithë insistimin për të mësuar se çfarë mesazhi i ka dërguar Flori në adresë të Adrianit, nuk arritëm ta sigurojmë, por vetëm mësuam se ka të bëjë me ‘’kritika’’ të ashpra në adresë të Gaxhës, se si ka mundur të kopjojë Mumajesin në këtë festival.
Megjithatë, duke e ditur natyrën e butë të Adrianit, ai nuk dëshiron të merret me konflikte, por dëshiron të shikojë suksesin dhe projektet e tij, e të mos komentojë asgjë.