Me ju ne sot qëndrojmë vendosmërisht, ashtu siç qëndruam me ju në të kaluarën, gjersa ju punoni për të ndërtuar një Kosovë më të sigurt, më paqësore dhe më prosperuese. Kështu ka thënë në deklaratën e tij zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, pas përfundimit të vizitës së tij në Kosovë.
“Edhe pse qëndrimi im këtu është i shkurtër, më ka lënë mbresë përparimi që është bërë në ndërtimin e një Kosove që është përfshirëse dhe që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. Sikur edhe Shtetet e Bashkuara edhe Kosova përfiton nga një trashëgimi kulturore e llojllojshme dhe e pasur, dhe sikurse Shtetet e Bashkuara, edhe Kosova duhet të punojë çdo ditë që ta ruajë atë. Miqësia e fortë dhe e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara me Kosovën dihet mirë. Ne jemi thellësisht krenarë me të. Ne mbesim të përkushtuar ndaj pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”.
“Ne kemi të njëjtin vizion për shtetin tuaj – të shohim Kosovën që ka marrë vendin e drejtë në institucionet euro-atlantike, duke përfshirë edhe NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë të punojmë me udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës që ato të përmbushin obligimet e veta për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur dhe për të përparuar perspektivën evropiane të Kosovës”, ka thënë Burns.
Ai ka pohuar se SHBA-të aktivisht përkrahin forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë duke besuar se kjo është thellësisht në vet interesin e të gjithë atyre që jetojnë këtu – “qofshi serbë apo shqiptarë të Kosovës – gjersa ndërtoni një ardhmëri më të mirë dhe më premtuese në Evropë”.
“Në veçanti, ne besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme për çdo demokraci dhe për cilëndo shoqëri që të përqendrohet në rëndësinë e sundimit të ligjit. Nëse shihni përreth nëpër botë, është e vështirë të gjesh ndonjë shembull të një shoqërie që është e suksesshme në luftimin e një problemi si korrupsioni nëse nuk keni mediume të pavarura dhe objektive dhe një gjyqësor të pavarur për t’i mbajtur njerëzit të përgjegjshëm. Nganjëherë kjo është shumë më lehtë të thuhet se të bëhet, por ky është një qëllim jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka shtuar zëvendëssekretari.
Ai ka theksuar se SHBA-të janë të përkushtuara në përkrahjen e Kosovës në punën e saj në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja. “Gjersa është e qartë se populli i Kosovës do të gjykojë vetë për atë se çka është në interesin e vet kombëtar, përfitimet nga bërja e përparimit përmes kësaj përpjekjeje janë të qarta. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë kanë thënë shumë herë, ne kërkojmë nga të dyja anët që të jenë fleksibile dhe kreative për të siguruar që edhe Serbia edhe Kosova janë në gjendje të marrin pjesë në forumet rajonale. Të dyja anët duhet të gjejnë një formulë me të cilën do të jenë të rehatshme”.
“Më lejoni të shtoj se e kuptoj shumë mirë sa e ndjeshme dhe e ndërlikuar është kjo çështje. Por, është po ashtu e rëndësishme të kuptohet mundësia që tash është pranë. Nga perspektiva jonë, e tërë kjo çështje ka të bëjë me atë se si Kosova mund të fitojë të drejtën për ta përfaqësuar veten në organizatat rajonale dhe si ajo mund të vendosë themelet për marrëdhënie më të afërta me Evropën. Fitimi i kësaj të drejte, fitimi i rastit për të marrë pjesë si e barabartë dhe për të përfaqësuar veten tuaj, ky është një përfitim i madh për Kosovën. Ky është një përparim i vërtetë në rrugën në të cilën Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar aq shumë së bashku. Të gjitha çështjet tjera simbolike dhe teknike të cilat tërheqin aq shumë komente sot janë më pak të rëndësishme në krahasim me të pasurit e zërit tuaj, të pasurit e karriges tuaj në tavolinë. Kjo është ajo që e bën sovranitetin”, ka thënë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns.