Të mbledhur nën frymën e urrejtjes ata kanë paralajmëruar se të shtunën do t’i masakrojnë shqiptarët dhe do ta djegin librin e shenjtë Kuranin. Në këtë organizim është paraparë që të marrin pjesë edhe tifozët serbë “Delije”, të cilët kanë paralajmëruar se të shtunën do të ketë skena të ngjashme me ato të masakrave të kryera ndaj shqiptarëve. Sipas grupeve në rrjetin e Facebook-it organizatorë të kësaj proteste janë aktivistë të VMRO-DPMNE, të cilët planifikojnë që të mbledhin nacionalistë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë dhe ti sjellin në Shkup me autobusë të posaçëm. Edhe pse policia ka bërë thirrje për qetësi dhe mbylljen e faqes ku shfryhet urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare, dyshohet se edhe vetë policia mund të ketë gisht në këtë organizim.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska thotë se të veprojnë në mënyrë të pamëshirshme ndaj atyre që do të prishin qetësinë. “U them atyre që ende mendojnë të marrin pjesë në ngjarje të cilat do të mund të krijojnë ndonjë incident dhe mund të ketë dhunë, të përmbahen sepse institucionet do të reagojnë në mënyrë të pa mëshirshme. Nuk do të tolerojmë prishje të rendit dhe nuk do të tolerojmë cenim të drejtave të njeriut në vend. Dhuna nuk është zgjidhje dhe për atë çdo veprim i dhunshëm do të dënohet rreptë”, tha Jankullovska. Ajo sqaroi se policia po i mbikëqyr komentet në faqet e Facebook-it në të cilën shprehet dhunë ndaj fesë, nacionalitetit, ose flitet ne gjuhën e urrejtjes dhe thotë se kanë kërkuar nga administratorët që ti mbyllin ato faqe. Disa profile janë mbyllur, ndërsa në ndërkohë janë hapur profile të reja në të cilat përdoret gjuha e urrejtjes.