Në fjalën hyrëse të koordinatorit të Degës në Strugë, dr. Artan Dika, mes tjerash theksoi se kjo parti në radhët e veta ka individ të dëshmuar e të pakompromituar. Ka njerëz që gëzojnë autoritet në mesin ku jetojnë dhe punojnë. “Kemi qenë dhe jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që të mos lejojmë infiltrimin e karrieristëve të ndryshëm, interesxhinjve dhe personave të korruptuar”, deklaroi Dika.
Kryetari i DR-së, prof.dr. Rufi Osmani shpalosi qëllimin për formimin e këtij subjekti dhe pretendimet për zgjedhjet e reja parlamentare.
Sipas tij, 10 vite pas përfundimit të konfliktin 2001 dhe nënshkrimit të MO, shqiptarët nuk arritën ti realizojnë të drejtat e tyre duke qenë edhe më tutje me statusin e pakicës kombëtare edhe pse në fakt përbëjnë 1/3 e popullsisë.
“Marrëveshja e Ohrit nuk arriti të realizojë synimin historik dhe qëllimet,duke qenë e kushtëzuar me statusin e 20%, që është mjaft përbuzës dhe antishqiptar. RDK-ja veprimtarinë e vet do ta ndërtojë në tri shtylla kryesore: rilindje dhe rimëkëmbje të dinjitetit të popullit shqiptar dhe gjithë qytetarëve tjerë , demokratizim të mëtutjeshëm të vendit dhe avancim të sistemit të demokracisë dhe avancim të të drejtave dhe lirive individuale dhe kombëtare të shqiptarëve dhe gjithë bashkësive etnike në Maqedoni”, theksoi Osmani duke përmendur se synimi i partisë së tij do të jetë realizimi i aspiratave të shqiptarëve për shtetëformësi, jo përmes teorive tashmë të publikuara për lloj lloj federalizimesh, por përmes siç nënvizoi ai “një federalizmi jo-territorial që do të thotë funksionimi i shtetit me anë të konsensusit, një federalizim konsensual”.
Duke folur për çështjet nga fusha e ekonomisë, Rufi Osmani dha sqarime të hollësishme rreth ndarjes së buxhetit, duke elaboruar gjerë e gjatë aspektet ekonomike, politikat ekonomike shtetërore të cilat gjithnjë sipas tij, nuk i kanë dhënë hisen që u takon shqiptarëve. Ai ka shtjelluar edhe çështjet e tjera që janë pjesë e programit politik të këtij subjekti të ri, i cili sot promovoi dhe hapi zyrat partiake në Strugë. Në këtë takim dhjetëra qytetarë shprehën interes për ti parashtruar pyetje kryetarit të RDK-së.