Familja e të akuzuarve për vrasjen e policit nga njësia “Alfa”, Afrim Arifit thonë se fëmijëve të tyre po iu bëhet një padrejtësi e madhe, sepse fajtorët e vërtetë ende po sillen në liri. “Nuk është drejtësi që të akuzohen me burg të përjetshëm persona të pafajshëm, në mungesë të fakteve. Për deri sa djali im është akuzuar për vrasje të cilën nuk e ka bërë, vrasësit e vërtetë sillen lirshëm jashtë burgjeve”, tha Remzi Islami, babai i të akuzuarit Agim Islami. Ai shtoi se familja e tij diskriminohet nga gjykata pasi që në shumë séance dhe në gjykime ata janë larguar nga gjykata. “Nuk ka qenë as seanca e as gjykimi me dyer të mbyllura por mua dhe familjen time nuk na kanë lejuar që të marrim pjesë aty”, tha Islami. Ai gjithashtu bëri të ditur se me një nëntor do të fillojë rigjykimi i të akuzuarve shqiptarë. “Edhe pse organet e drejtësisë të vendit vazhdojnë të mos përfillin kërkesat dhe dëshmitë tona, ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për djemtë tanë deri në fund. Gjykata hetuese këtë vendim të cilin e solli ka qenë skandaloz dhe i pa bazë. Shumë dëshmi të cilat i kemi dërguar në gjykatë janë anashkaluar por shpresojmë që gjatë këtij rigjykimi do të vërtetohet pafajësia e tyre”, theksoi Islami. Ai tha se vetë babai i të ndjerit kishte deklaruar në gjykatë se të akuzuarit nuk kanë të bëjnë asgjë me vrasjen e djalit të tij, por kjo gjë nuk u morr parasysh nga gjykata. “Ende nuk e dimë se çfarë kanë të bëjnë të akuzuarit për vrasjen, dënimi i tyre ishte shumë misterioz dhe i dyshuar pasi që nuk përputhen kryerja e veprës, vetura e cila është gjetur, mos njohja e katër personave të cilët janë akuzuar, mos komunikimi i tyre e shumë të tjera. Shihet qartë se ky rast është i montuar”, tha Islami. Për vrasjen e policit nga njësia “Alfa” më 28 nëntor të vitit 2008 në afërsi të fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup, me burgim të përjetshëm nga Gjykata themelore më 30 prill të po atij viti u dënuan Agim Islami, Rexhail Qerimi dhe Almir Dërplanin dhe për ndihmës të kryerjes së kësaj vepre është dënuar Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg.