Burime brenda partisë më të madhe në vend kanë bërë të ditur se ditëve të fundit është duke u shqyrtuar seriozisht mundësia që zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe ato të përgjithshme të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Ekziston mundësia që në të njëjtën kohë të mbahen edhe zgjedhjet lokale, të cilat edhe ashtu parashihet të organizohen në vjeshtën e vitit 2013, shkruan “Koha Ditore”.
Një skenar i tillë, sipas një zyrtari të lartë në PDK, parashihet të realizohet duke e “detyruar” Behgjet Pacollin që të japë dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit. Dhe, nëse ai refuzon, ashtu siç ka paralajmëruar të enjten nëpërmjet rrjetit social, atëherë, nuk përjashtohet mundësia e shkarkimit të tij.
Me largimin e Pacollit do të tërhiqej AKR-ja nga koalicioni dhe Qeveria, duke mbetur në pakicë, do t’i nënshtrohej mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës. Në aso rrethanash do të përfundonte shumë shpejt edhe mandati i presidentes Atifete Jahjaga, të cilin post e ka marrë me marrëveshje politike.
“Presidentes Jahjaga do t’i vinte shansi që t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme dhe vetë do të largohej pa u cenuar asnjë nen kushtetues”, citon gazeta burimet, sipas të cilave zhvillimet e reja në drejtim të ristrukturimit të skenës politike priten pas kthimit të kryeministrit Hashim Thaçi nga New Yorku.