www.Zemra.Org

Kombi si religjion

Mbi 90 për qind e shqiptarëve të Kosovës u takojnë familjeve myslimane. Megjithatë, ata një kohë të gjatë konsideroheshin se janë imunë ndaj joshjeve islamike.

Por, që ky konstatim mund të ndryshojë, tregon emërimi i një ish-reperi besimtar (Memli Krasniqi, v.j.) në postin e ministrit të Kulturës. Mbetet për t’u sqaruar nëse islamizmi që po rritet ngadalë ka të bëjë me krimin e Arid Ukës në Frankfurt, shkruan analisti Norbert Mappes-Niediek në “Frankfurter Rundschau“.
Një lloj religjioni shtetëror në Kosovë është nacionalizmi shqiptar. “Islami u është imponuar shqiptarëve”: Me këtë formulë nacionalistët e bindur i refuzojnë të gjitha joshjet nga ana e sauditëve dhe muxhahedinëve boshnjakë. Fëmijët pagëzohen me emra shqiptarë, si Ilir ose Dardan, Vlora ose Teuta. Kush e ka emrin Hajrudin, Nezir dhe Muharrem shpesh i vjen turp.
Heroi kombëtar i Shqipërisë është Skënderbeu, një princ i krishterë, i cili në shekullin e 15-të i mbrojti shqiptarët atëbotë të krishterë kundër osmanëve myslimanë. Menjëherë pas tij vjen Nënë Tereza katolike. Mjekra dhe mbulesa e femrave janë pjesë e pamjes në rrugë mbase në Maqedoninë fshatare, shqiptarët e atjeshëm konsiderohen konservativë dhe të prapambetur. Në Kosovë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbretëroi solidaritet i gjithanshëm me çlirimtarët amerikanë.
Por, që nga atëherë mes nacionalizmit shqiptar dhe fundamentalizmit mysliman është krijuar një urë ideologjike. “Sikur të mos e kishim pranuar islamin, ne sot do të ishim serbë ose grekë”, thotë Abdi Baleta, kryeideolog i këtyre ideve. Ky shqiptar nga Tirana ka qenë diplomat nën diktatorin Enver Hoxha dhe që nga ndryshimet e vitit 1991 ai u prin disa partive të vogla. Në Shqipëri ky “shqiptaromadh” ka pas vetes vetëm një pakicë.
Një kohë të gjatë Kosova ishte e çliruar nga idetë e tilla. Në emigracion, ku shumë shqiptarë të rinj rriten si pjesë të një shtrese të deklasuar emigrantësh, tezat e Baletës gjejnë më shumë mbështetje dhe kthehen prapa në Ballkan. Ministri i ri kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi, për disa pjesë të gjeneratës së re është idhull. Vendimi i parë i Krasniqit si ministër ishte heqja e portreteve të Nënë Terezës dhe themeluesit shekullar të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në korridorin e ministrisë.

Exit mobile version