Pas rënies në pranga me 25 shkurt, shqiptari nuk ka mundur t’i fshihet identitetit të vërtetë të tij. Kështu, të dhënat që përcjellin arrestimin e të kërkuarit të Gjykatës së Ohajos, bëjnë me dije se shqiptari i hetuar, gjykuar dhe dënuar për trafik marijuane quhet Fajton Kazazi dhe është i lindur në Shqipëri. Urdhri ndërkombëtar për arrestimin e Kazazit mësohet se është lëshuar që në vitin 2003, kohë në të cilën Gjykata e Apelit riktheu çështjen e tij për gjykim dhe e shpalli fajtor.
Por ndërkohë që ndaj tij do të merrej edhe masa e dënimit prej 8 vitesh, Kazazi do të zhdukej përgjithnjë prej Wood County, për t’u vendosur në Toronto. Kazazi tashmë do të qëndrojë në paraburgim në Toronto derisa të përgatitet edhe ekstradimi i tij për të vuajtur dënimin pikërisht në Ohajo. Kazazi u zbulua se jetonte në Toronto vetëm në vitin 2009, vit në të cilin nisën edhe kërkimet për të.