Pikënisja në 1996
Zgjedhjet e vitit 1996 ishin pika më e ulët për Shqipërinë. Kishte parregullsi serioze, mbushje të kutive të votimit, frikësim të votuesve nga ana e policisë. “Autorët” e fitores së PD-së në zgjedhjet e vitit 1996 ishin presidenti i asaj kohe, Sali Berisha dhe zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Ferdinand Poni. Fakti se Berisha është kryeministër sot dhe Poni merret me kartat e identitetit, ka shqetësuar PS-në që u frikësohet manipulimeve të reja.
Hidh votën, të lutem!
Një taktikë e vjedhjes së zgjedhjeve është votimi ‘karusel’, që do të thotë: një militant plotëson një fletë votimi dhe ia jep një votuesi bashkë me 50 mijë lekë për ta hedhur në kutinë e votimit. Procesi përsëritet gjatë gjithë ditës. Ka edhe variante të tjera të skemës, ku militantët aspak bujarë nuk të ofrojnë shpërblim, por të kërcënojnë me rrahje apo të shantazhojnë nëse nuk do ta bësh atë që kërkojnë.
Votë me “pica”
Një tjetër teknikë që ka edhe më shumë efekt është votimi me fletët e vendosura në kutitë e picave. Gjatë gjithë ditës, komisionerët porosisin pica dhe në kutitë e tyre vendosen fletët e votimit të mbushura për njërën parti apo për tjetrën. Komisionerët kanë marrë për të mbyllur sytë ndaj kësaj teknike edhe shpërblime të majme deri në 500 euro. Askush nuk numëron sa vota ka në kutitë e votimit dhe sa votues rezultojnë në regjistrin zgjedhor.
Kartat e rreme
Një tjetër mënyrë është të votosh disa herë me karta të rreme. Sipas këtij plani, militantët votojnë disa herë me emra të ndryshëm ose dhe me një emër, por që nuk është shënuar nga komisioneri. Me kartat e reja të identitetit, kjo supozohet të largohet si teknikë, por nuk dihet nëse do të ndodhë vërtet.
Ka probleme ende me shpërndarjen e kartave të identitetit në Shqipëri dhe ndaj ka shqetësime se kjo teknikë e votimit të shumëfishtë mund të vazhdojë sërish.