Duke folur nga Prizreni, Kryeministri Sali Berisha tha se shqiptarët janë në rrugën e duhur drejt projektit kombëtar të bashkimit.
“Sot më të vendosur se kurrë të punojmë për projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, në projektin e madh europian. Sot jemi më të vendosur se kurrë të tregojmë kudo që jetojmë vlerat e mëdha të qytetërimit europian. Sot ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë me përkushtim për paqen, stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, tha kryeministri Sali Berisha.
Pas 160 vjetësh përpjekje, të gjithë fëmijët shqiptarë pavarësisht ku ndodhen, në Mitrovicë apo Vlorë do të mësojnë shqip me një abetare të unifikuar. Gjatë fjalës së tij, Berisha dërgoi dy mesazhe, një drejtuar për nënat shqiptare dhe tjetrin për fqinjët e shqiptarëve, të cilët sipas Berishës duhet të çlirohen nga shqiptaro-fobia.
“Nga Prizreni dua tu themi fqinjve tanë, çlirohuni nga shqiptaro fobia ajo është një mbeturinë e primitivizmit të trashëguarit tuaj. U bëj një thirrje nënave të mrekullueshme shqiptare kudo që janë nga Alaska në Afrikën e Jugut, krahas qumështit të mos harrojnë pas tij abetaren shqipe”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se kjo është dhurata më e bukur që u bëhet shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë.
“Sot në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë institucionet e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë po promovojnë tekstin më të rëndësishëm, librin bazë të kulturës dhe arsimit shqip, pra abetaren e përbashkët për shkollat shqipe. Shqiptarët do të kenë abetaren e përbashkët, një flamur, gjuhë, kulturë”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Abetarja e përbashkët e shqiptarëve ka katër bashkëautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj, Islam Krasniqi dhe Saranda Pozhegu. Gjatë promovimit të abetares në Prizren, merrnin pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete jahjaga dhe autoritete të larta shtetërore kosovare dhe shqiptare.