Shtetasi 47-vjeçar nga Kosova, po mbahet në paraburgim në Tiranë, prej ditës së dielë, kur u arrestua pas mbërritjes së këngëtares Emmy në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Pas arrestimit të 47-vjeçarit, dosja penale ndaj tij u përcoll në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës, ditën e djeshme ka marrë sqarimet paraprake nga i arrestuari ndërkohë që është në pritje të rezultateve të autopsisë së mjekëve ligjorë mbi shkakun e vdekjes së këngëtares. Sipas burimeve nga Prokuroria, ky institucion ka dorëzuar dje kërkesën në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit 47-vjeçar nga Kosova. Akuza pohoi se do të kërkohet mbajtja e tij në qeli, deri në sqarimin përfundimtar të ngjarjes.
Prokuroria pohoi se në rast se dëshmohet se veprimet e biznesmenit kanë qenë të qëllimshme, atëherë pozita e tij penale rëndohet së tepërmi. Prokuroria ndërkohë ka kërkuar të njihet me raportin e mjekëve ligjorë mbi shkaqet e vdekjes së këngëtares 22-vjeçare, Elsina Hidersha. Sipas të dhënave paraprake, vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve në kokë, të cilat besohet se i kanë shkaktuar dëmtime serioze në tru.
47-vjeçari mësohet se ka lindur në Mitrovicë dhe jetën e tij e bën mes Prishtinës, Mitrovicës, Suedisë dhe Gjermanisë. Nga të dhënat e pakta zyrtare mësohet se Kelmendi ka nënshtetësi suedeze, vend në të cilin ka të hapur edhe llogari me drejtësinë vendase, ndërkohë që ai ka tre fëmijë; një në Suedi dhe dy të tjerë në Gjermani, vend në të cilin rri edhe bashkëshortja e tij. Gjithashtu bëhet e ditur se ai ka mundur të jetë në tregun e biznesmenëve të fuqishëm në Kosovë prej shumë vitesh, duke fituar kështu edhe mbështetjen e duhur politik. Biznesi me të cilin edhe identifikohet Kelmendi mësohet se është pikërisht “Hotel Palace” në Mitrovicë.