www.Zemra.Org

Policia dhe protestuesit përleshen në Tiranë

Në Tiranë policia ka përdorur ujë me presion, mjete me gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë mijëra mbështetës të opozitës të cilët po demonstronin përpara selisë së qeverisë shqiptare.

Mijëra protestues nga i gjithë vendi u grumbulluan në orën 14 përpara zyrave të kryeministrit.

Brenda pak minutave protestuesit nisën të konfrontohen me forcat e shumta të policisë që gjendeshin të gatshëm për ruajtjen e rendit.

Protestuesit me gurë e shkopinj u konfrontuan me policinë e pajisur me shkopinj gome skafandra dhe mburoja plastike.

Policia përdori gazlotsjellës dhe makinat e ujit për të shpërndarë turmat.

Protestuesit kaluan në akte dhune duke përmbysur e shkatërruar automjete të rastit dhe të policisë.

Drejtuesit e opozitës fillimisht ishin mes protestuesve, por ata nuk u panë të ndalnin turmat e revoltuara.

Thirrje për qetësi

Kryetari i Partisë Socialsite të opozitës Edi Rama fajësoi qeverinë e kryeministrit Berisha për degradimin drejt dhunës së protestës së opozitës.

Ai bëri thirrje për qetësi dhe për gjetjen e rrugëzgjidhjes të asaj që ai e quajti “krizë e rëndë politike” në Shqipëri.

Zoti Rama tha se kryeministri duhet të vërë interesat e vendit mbi interesat e tij personale.

Deri tani nuk ka deklarim nga ana e qeverisë.

Nëpërmjet një deklarate me shkrim presidenti i vendit Bamir Topi i bëri thirrje popullit për qetësi dhe stabilitet.

Përfaqësues diplomatikë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kishin bërë thirrje që protestat të ishin paqësore dhe konstruktive dhe dënuan si “të papranueshme” retorikën e përdorur nga politikanët ditët e fundit.

Përplasjet

Situata në bulevardin Dëshmorët e Kombit ishte kaotike dhe pothuajse jashtë kontrollit.

Fillimisht demonstruesit u përplasën me kordonin e policisë e më pas me trupat e ndërhyrjes së shpejtë.

Policia përdori më pas forcën për t’i shpërndarë si dhe ujë me presion e shkopinj gome.

Demonstruesit kanë qëlluar me sende të forta në drejtim të policisë që ishte vënë gardh rreth ndërtesës së kryeministrisë.

Ka pasur persona të gjakosur dhe të dëmtuar nga kjo ndërhyrje e policisë.

Pas një tërheqjeje të protestuesve ruajtja e ndërtesës së qeverisë ju është besuar trupave speciale.

Protestuesit janë kthyer sërisht duke hedhur parrulla kundër qeverisë.

Ata kanë arritur që t’i vënë zjarrin dhe një makine të policisë. Disa makina janë përmbysur dhe janë përfshirë nga flakët pranë ndërtesës së qeverisë.

Demonstruesit kanë hedhur parrulla kundër kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij.

Protesta u thirr nga opozita e cila kërkon zgjedhje të reja pas akuzave për korrupsion në radhët e qeverisë.
Demostrata e janarit ne tirane nga opozita


Qellohet nga Kryeministria ! Demostrata ne Tirane

Exit mobile version