s Exclusive: Shërbimi sekret maqedonas me mision të ri – themelohet parti multietnike? | www.Zemra.Org

Exclusive: Shërbimi sekret maqedonas me mision të ri – themelohet parti multietnike?

Shkup, 22 maj – Javën e fundit janë intensifikuar aktivitetet për themelimin e një partie maqedonase e cila synon që me përfshirjen e shqiptarëve dhe etniteteve tjera të ketë karakterin multietnik.

Burime mirë të informuara për ‘Zhurnal’ flasin se themelues dhe koordinator kryesor i këtij subjekti është një zyrtar dhe funksionar i lartë maqedonas në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).

Qëllimi i kësaj partie është të promovojë publikisht vlerat evropiane duke i joshur qytetarët e dëshpëruar shqiptarë, turq, romë, vllehë dhe të tjerë.
Sipas burimit në fjalë partia maqedonase do të ketë logon e Bashkimit Evropian (BE), moton për bashkëjetesë multietnike dhe paltformën për integrim në BE dhe NATO, merr vesh Zhurnal.

E gjithë kjo do të mundësonte që qytetarët e etnive të ndryshme të “mashtrohen” dhe të regjistrohen në këtë subjekt të ri maqedonas, i kontrolluar direkt nga shërbimi sekret maqedonas.

Madje, thuhet se aktivizimi i kësaj partie “evropiane” bëhet si kundër-përgjigje ndaj jehonës së liderit opozitar maqedonas Zoran Zaev i cili kohëve të fundit është bërë simbol i bashkëjetesës në Maqedoni.

Kjo kundërpërgjigje e pushtetit të Gruevskit ndaj opozitës maqedonase flitet se mund të jetë e njëjtë si me vendosjen e çadrave. VMRO-DPMNE-ja vendosi çadra para Parlamentitr si kundërpërgjigje ndaj protestuesve të LSDM-së para godinës së Qeverisë, shkruan Zhurnal.

Promovimi i kësaj partie pritet të bëhet së shpejti në Shkup dhe momentalisht janë duke u siguruar nënshkrime të cilat janë të domosdoshme, sipas Ligjit për themelimin apo riaktivizimin e një partie politike.

Kjo “parti e shërbimit sekret” do të flasë edhe në gjuhën shqipe me qëllim që të depërtojë sa më shumë të jetë e mundur tek elektorati shqiptar i dëshpëruar në Maqedoni, duke tentuar të “kontrollojë” shoqërinë shqiptare në vend.

Gjithashtu ‘Zhurnal’ meson se kjo parti do të mbështet fuqishëm nga mediat proqeveritare në Maqedoni.


Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Zemra.org

Comments are closed.