KosovaLajmePolitika

Akuza për shpërdorim votash në Kosovë

Partitë kryesore politike pjesëmarrëse në zgjedhjet në Kosovë kanë hedhur poshtë deklarimin e fitores nga kryeministri Hashim Thaçi I Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK).
Në një tubim me përkrahësit e partisë së tij, zoti Thaçi, e ka cilësuar fitoren e partisë si të “thellë dhe bindëse” në shumicën e qyteteve të Kosovës.

Përfaqësues të partive kosovare e kanë kontestuar rezultatin dhe duke numëruar parregullsi të shumta.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demoratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, i ka thënë BBC-së se fitorja e deklaruar nga zoti Thaçit është “shumë e parakohshme” dhe se sipas të dhënave që disponon LDK-ja, “ajo është në avantazh në krahasim me PDK-në”.

Zoti Beqiri tha se ka pasur një manipulim në shkallë të gjerë të votës në dy komunat e rajonit të Drenicës, Drenas dhe Skënderaj, që janë bastione të PDK-së.

Ai bëri të ditur se LDK-ja po pret rezultatin zyrtar të zgjedhjeve dhe akoma nuk ka një qëndrim se si do të veprojë.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Shala, tha që një trend i tillë i manipulimit të votës është parasikuar që më parë kur AAK-ja kishte tërhequr vërejtjen se nëse zgjedhjet do të organizoheshin në rrethana të tilla, do të kishte një përpjekje për “një inxhiniering zgjedhor për të paracaktuar dhe fabrikuar rezultatin final në favor të partisë së Hashim Thaçit që drejtoi qeverinë më të keqe në Kosovën e paslufës”.

“Jo vetëm Aleanca, por edhe partitë tjera tashmë janë shumë të shqetësuara për gjithçka që ka ndodhur në Drenicë,” është shprehur zoti Shala.

Lëvizja Vetvendosja, që konsiderohet si a papritura më e madhe e zgjedhjeve, po të kihen parasysh rezultatet paraprake jozyrtare, pretendon se ka pasur manipulime dhe kërkon përsëritje të zgjedhjeve në zonat e prekura.

Njëri nga drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca, ka vlerësuar në një intervistë për BBC-në se rezultati i publikuar deri tani manifeston një rezultat “me shumë manipulime”, që është parë posaçërisht në pjesën qëndrore të Kosovës.

“Ne besojmë se rezultati zgjedhor në disa vendvotime duhet të anulohet plotësisht dhe ne do të insistojmë që të shfrytëzojmë gjithë mundësitë që i kemi, që kjo edhe të ndodhë,” tha ai.

“Sipas të dhënave që kemi ne, Vetëvendosja ka një rezultat shumë më të madh nga ai që ka dal nga Demokacia në Veprim, por që ne do të presim rezultatin zyrtar nga KQZ-ja dhe tek atëherë do të definojmë hapat tonë,” tha zoti Konjufca.

Nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re (AKR) , Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pavarësisht rezultateve “të pasakta dhe manipulative” mund të pritet që PDK-ja të jetë e para në këto zgjedhje, por jo me një rezultat të thellë siç ka thënë Hashim Thaçi – kjo edhe për shkak “të manipulimeve që janë bërë nga partia e tij”.

“Ne jemi të gatshëm të nisim procesin e ankimimeve jo vetëm për rezultatin e zgjedhjeve, por edhe për mënyrën se si është votuar në Skënderaj dhe në Drenas,” tha ajo.

“Ne do të kërkojmë që të përsëriten votimet në këto dy komuna megjithëse qysh tash e kemi të qartë se edhe në rast të përsëritjes së votimeve atje, prapë do të kishim manipulim të votave sepse ato do të organizoheshin nga të njejtit njerëz”, tha zonja Kusari-Lila.

Keqpërdorimet e pretenduara kanë qenë shkaku kryesor që rrjeti i organizatave joqeveritare që ka vëzhguar zgjedhjet, Demokracia në Veprim” të ndëpresë numërimin e votave në Skënderaj dhe në Drenas.

Drejtuesit e këtij rrjeti, kanë thënë se ka pasur raste kur në vendvotime të caktuara janë evidencuar të kenë votuar 98 përqind e elektoratit dhe të gjithë këta ta kenë votuar vetëm njërën parti politike.

Vëzhguesit e Parlamentit Evropian ndërkaq kanë thënë se ankesat serioze për mashtrim të votave në Skënderaj dhe në Drenas duhet të shqyrtohen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për të siguruar transparencë në procesin zgjedhor, ndërsa kanë nxitur partitë politike që të ndjekin rrugën ligjore për këtë çështje, në mënyrë që të sigurojnë ndëshkimin e keqpërdoruesve të mundshëm të votave.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button