LajmeMaqedoniaPolitika

Një orë e Cecës vlen sa krejt kultura shqiptare në Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë, nëpërmjet ministrisë së kulturës dhe pushtetit vendor ndan më shumë para për këngëtarët e turbo-follkut të ish Jugosllavisë, që defilojnë në Maqedoni, sesa për gjithë kulturën shqiptare në Maqedoni. Vetëm Ceca ka marrë 90-të mijë euro nga Komuna e Prilepit për një orë këngë të turbo- folkut. Ndërkaq, kur është në pyetje kultura shqiptare, as pushteti qendror dhe as ai lokal nuk paguajnë asnjë cent. Artistët shqiptarë mendojnë se edhe politika shqiptare është fajtore e anashkalimit të kulturës shqiptare.

Artisti, Reshat Ahmeti thotë se bota e civilizuar jo vetëm që nuk ndan mjete për kiçin, siç është muzika që bën Ceca, por i detyron ato të paguajnë tatime shumë të larta për të nxjerrë CD. “Muzika e saj nuk ka asnjë vlerë dhe shteti nuk ka pse të paguajë para për ta sjellë atë këtu”, thotë Ahmeti, duke shtuar se për të kultivuar vlera do të ishte mirë që muzika që bën ajo të mos dëgjohej fare. Ai sqaron se për kulturën shqiptare për 60-të vjet rresht, janë ndarë më pak mjete sesa për njërin prej luanëve të vendosur në urën Goce Dellçev. “Askush nuk investon për Kulturën shqiptare. Nëse mblidhen gjithë mjetet financiare që ka ndarë ministria e Kulturës dhe Qeveria për 60-të vjet për kulturën shqiptare, ato janë më pak sesa shuma që ka ndarë qeveria për njërin prej luanëve të vendosur në Shkup”, thotë Ahmeti, duke shtuar se ato skulptura nuk kanë asnjë vlerë artistike. Ndërsa, artisti Blerim Grubi, thotë se Ministria e Kulturës është qeveri më vete, që investon vetëm për kulturën maqedonase. “Ka vite që nuk investohet në kulturën shqiptare. Ministria e kulturës harxhon miliona për të ndërtuar kulturën maqedonase, ndërsa për kulturën shqiptare asnjëherë nuk ndahen mjete”, thotë Grubi, duke shtuar se vetëm para dy ditësh u ndanë katër milionë euro për dy filma maqedonas.

Vetëm për projektin “Shkupi 2014”, Qeveria nëpërmjet pushtetit qendror dhe lokal, deri tani ka ndarë rreth 100 milionë euro.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button