Kronika e ZezeLajmeMaqedoniaPolitika

9 korriku i dhimbjes, por edhe i krenarisë

policiaMë 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, ndërsa në mëngjesin 9 korrikut, policia speciale hoqi flamurin shqiptar para Kuvendit komunal në Gostivar,veprim ky që ka pasuar një aksion policor e që rezultoi me dhjetëra arrestime, tri vrasje dhe qindra keqtrajtime të qytetarëve gostivaras

Gostivar, 8 korrik – Qytetarët e Gostivarit dhe rrethinës, pas plotë 16 viteve përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, ngjarje kjo e ngelur në memorien e tyre si një datë sublime e krenarisë së dhimbshme shqiptare në mbrojtje të flamurit kombëtar. Pikërisht më këtë datë para 16 viteve, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal të Gostivarit, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare. Në gjithë këtë situatë, shkas i dhunës së shfrenuar policore e ushtarake, ishte flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë si dhe nëpër komunat tjera ku dominonin shqiptarët. Përpjekja më serioze e realizuar në mënyrë paqësore dhe demokratike për ngritjen e nivelit të barazisë ndëretnike në Maqedoni, u shfaq që në zgjedhjet lokale të vitit 1996 nga të cilat dolën përfaqësues politik të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në mbledhjen e parë punuese të Këshillit të parë plural komunal, në një procedurë legale juridike, më 27 Janar të vitit 1997 ngritën flamurin shqiptar para godinës së komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të qeverisë së Maqedonisë. U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar”. Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor. Ky vendim i parlamentit, pa respektuar afatet e fuqizimit, u zbatua në praktikë pak orë pas aprovimit të së njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptar, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.
Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, ku u vranë tre shqiptar, edhe atë Shpend Useini nga fshati Forinë, Nazmi Saliu nga fshati Turçan i Vogël dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll. U plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtuan pa mëshirë çdo qytetarë jomaqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë. Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate. Nga rrahja dhe keqtrajtimet ç’njerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, ndërruan jetë edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptar. Tani pas 16 viteve, përpara godinës komunale të Gostivarit, valëvitet flamuri shqiptar. Pas miratimit të ligjit për simbolet kombëtare të nacionaliteteve, garnitura e atëhershme komunale më 29 korrik të vitit 2005 vendosi flamurin kombëtar përpara godinës komunale. Në ndërkohë, në vitin 2011 në vendlindjet e tyre u vendosen bustet e dëshmorëve të 9 korrikut, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti. Me emrin e dëshmorit tjetër Shpend Useini, pritet të emërohet shkolla fillore e fshatit Forinë, në oborrin e së cilës do të ndodhet edhe busti i tij.

Aksioni policor përfshiu edhe Tetovën
Në Tetovë, ashtu si në Gostivar, përveç largimit të flamurit kombëtar prej përpara godinës komunale, ky akt u shoqërua me shkatërrimin nga ana e forcave policore të lokaleve të komunës dhe të pajisjeve që gjendeshin aty. Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për ta arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator 1997. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku ia shqiptuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. Në këtë gjykim, u bë e qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare, e cila ofronte modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Pas miratimit të ligjit për amnisti në vitin 1999, Rufi Osmani lirohet nga burgu, duke kaluar afërsisht 2 vite në burgjet e Maqedonisë. U dënua edhe kryesuesi i këshillit Komunal, Refik Dauti, ndërsa ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal Vebi Bexheti.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close