LajmePolitikaShqiperia

Bashkimin e Shqipërisë e pengojnë politikanët e jo ndërkombëtarët

Kreshnik Spahiu, personaliteti shqiptar i vitit 2011 i përzgjedhë nga gazeta “Lajm”, në intervistën e fundvitit flet për idenë e bashkimit kombëtarë, e cila do të realizohet në rrugë paqësore dhe demokratike, triumfin e kuqezinjve, fushatën “Fol vetëm shqip” që do të nisë në Maqedoni vitin e ardhshëm, për përçarjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe plot çështje të tjera.

LAJM: Viti 2011 kaloi në shenjë të ngjyrave Kuq e Zi. Si do të jetë viti 2012?

Spahiu: Viti 2012 nuk do jetë fundi i botës por do të jetë fundi i të kuqve apo të zinjve dhe natyrisht triumf i kuqezinjve.

LAJM: Çfarë aktivitete planifikoni për vitin 2012? Cilat do të jenë aktivitetet tuaja që planifikoni në Maqedoni?

Spahiu: 100 vjetori i pavarësisë po afron por 100 vjetori i të bërit shtet i shqiptarëve fatkeqësisht ende qëndron disi larg pasi klasa politike shqiptare kudo që është ka spekuluar dhe keqpërdor ëndrrën e Ismail Qemalit dhe rilindësve për një Shqipëri tjetër atë të të gjithë shqiptarëve. Së shpejti në Maqedoni do të fillojë fushata fol vetëm shqip. Kjo do të thotë se nëse shteti nuk e ndryshon qëndrimin e vet arrogant dhe nënçmues ndaj gjuhës shqipe, ne do të kërkojmë nga shqiptarët e Maqedonisë të kenë të njëjtin qëndrim edhe ndaj maqedonishtes.

LAJM: Cilat do të jenë sfidat kryesore për shqiptarët në vitin 2012?

Spahiu: Shqiptarët janë të parët në Evropë për nivelin e korrupsionit dhe të fundit në Evropë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Mjafton ti referohesh raporteve për dy shtetet shqiptare në 2011 dhe kupton qartë se sa larg jemi….. Fatkeqësisht kjo ndodh sepse askush nuk mban përgjegjësi por madje kemi liderë politik të përjetshëm me jetën e tyre biologjike si në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

LAJM: Aktivistë tuaj veç më kanë filluar të ballafaqohen me probleme me policinë maqedonase. Çka do të ndërmerrni për të penguar këto presione nëse eventualisht vazhdojnë edhe në të ardhmen? Ju personalisht a keni pasur ndonjë problem deri tani me policinë apo autoritetet maqedonase?

Spahiu: Kemi ndërmarrë disa hapa diplomatikë dhe shtetëror për të frenuar abuzimin, dhunën dhe paligjshmërinë e policisë kundër aktivistëve tanë. Mendoj se vetë shteti maqedonas do ta kuptojë shpejt se kjo është një “lojë” të cilën nuk mund ta vazhdoj gjatë sepse do ta humbasë dhe dëmtojë imazhin e vet në opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar. Unë personalisht nuk kam pasur probleme me policinë maqedonase.

LAJM: Ekzistojnë paralajmërime se AK së shpejti do të shndërrohet në subjekt politik. Kur do të ndodhë kjo? A do ta ruani të njëjtin statut që e keni tani si lëvizje, posaçërisht pjesën që ka të bëjë me bashkimin e shqiptarëve?

Spahiu: Nuk mund të them me saktësi se çfarë statusi do marrë Aleanca Kuq e Zi, por jam i sigurt se do marr përmasa jashtëzakonisht popullore dhe se ajo kurrë nuk do të ndryshojë objektivat që ka për zgjidhjen e çështjes kombëtare.

LAJM: Jeni shprehur qartë se do të insistoni për bashkim kombëtar me mjete diplomatike? A besoni se mund të arrihet diçka e atillë në Ballkan?

Spahiu: Sigurisht që kjo nuk është çështje bindje por është çështje fakti. Bashkimet nuk pengohen as nga e drejta ndërkombëtare, as nga ndërkombëtarët, as nga diplomacia por nga qeveritë dhe politikanët. Ne do realizojmë shprehjen e vullnetit popullorë me zgjedhje dhe votim të lirë për të ardhmen e tyre. Bashkimi Evropian do të mirëpres çdo proces kushtetues i cili në preambulën e Kushtetutës Shqipërisë thuhet “ realizimi i aspiratës së shqiptarëve për identitet dhe bashkim kombëtar”. E rëndësishme është që një klasë e re politike me një frymë evropianë të udhëheq në të ardhmen me aftësi shtet-formuese dhe me garancinë për bashkimin evropian se do jemi faktor stabiliteti në rajon dhe sigurojmë të drejtat e minoriteteve.

LAJM:Në çfarë periudhe mendoni ta realizoni idenë tuaj për bashkim kombëtar?

Spahiu: Kohën nuk mund ta vendos as unë as kryeministrat tanë por vetë populli shqiptar në momentin që do jetë ndërgjegjësuar për referendum.

LAJM: Sa realizoni kontakte me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare? Si janë reagimet e tyre rreth idesë suaj për bashkim kombëtar?

Spahiu: Në një periudhë më shumë se 12 vjeçare si në pozicionin e funksionarit të shtetit shqiptarë por dhe atë të shoqërisë civile kam pas prioritet dhe kam punuar shumë pranë si një partner i ngushtë lokal i qeverive perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare. Mbetem një bashkëpunëtor i afërt i tyre dhe respektoj diplomacinë amerikane si dhe misionin e Komisionit Evropian. Ne i jemi mirënjohës atyre për çfarë kanë bërë për shqiptarët.

LAJM: A mund ta rrezikojë ideja juaj për bashkim kombëtarë synimin strategjik të shqiptarëve për integrim në Bashkimin Evropian?

Spahiu: Jooooo, aspak sepse vetë gjermanët nga dy shtete u bënë në një dhe ata janë themeluesit e BE. Ne rrezikojmë integrimin nga kjo klasë politike e degraduar, e shthurur, e korruptuar dhe që kërkon të futet me servilizëm në Bruksel dhe jo me standarde. Shqiptarët nuk janë dukë u ndarë apo bashkuar me luftë pasi janë një komb, dhe duhet të kenë një të ardhme. Rrugët janë paqësore dhe diplomatike. Thjesht edhe vendet e BE nuk do na duan me dy vota e gjysmë sepse do ndjehen të pabarabartë por do preferojnë një zgjidhje tjetër pra thjesht do jetë interes reciprok i BE dhe shqiptarëve.

LAJM: Nëse AK shndërrohet në subjekt politik, kush do të jetë kryetar i saj – Ju apo presidenti Bamir Topi?

Spahiu: Presidenti Topi nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do jetë pjesë e Aleancës Kuq e Zi. Kryetarin do ta zgjedhin mes 1 milion anëtarëve dhe aktivistëve nga gjitha trevat shqiptare.

LAJM: Ju jeni një subjekt që nuk veproni vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni dhe gjithkund ku jetojnë shqiptarë. A mund të presim që AK të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Maqedoni në vitin 2013?

Spahiu: S’kam koment për këtë pyetje.

LAJM: Para një muaji qëndruat në Maqedoni ku realizuat shumë takime me qytetarët. Cili është mendimi juaj për pozitën aktuale të shqiptarëve në Maqedoni?

Spahiu: Shqiptarët në Maqedoni janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk jetojnë si të barabartë. Klasa politike i ka përçarë dhe ka mbjellë urrejtje dhe ata ndonëse flasin shqip, nuk jetojnë kuq e zi.

LAJM: Me cilat subjekte politike në Maqedoni realizoni bashkëpunim? Cili prej tyre ka platformë më të afërt e platformën tuaj?

Spahiu: Po studiojmë me kujdes dhe nuk do nxitohemi sepse nuk mund të afromë asnjë subjekt që ka bërë pazar me çështjen shqiptare. Vetë emri aleancë tregon se jemi në kërkim të aleatëve.

Shqipëria e bashkuar do të ketë më shumë se një kryeqytet? a mund të jetë \shkupi?

LAJM: Cili qytet do të ishte më i përshtatshëm për kryeqytetin e shtetit ku shqiptarët do të jetonin të bashkuar?

Spahiu: Besoj që forma juridike e shtetit të ardhshëm shqiptar mund të lejojë më shumë se një kryeqytet.

AK: Lëvizja jonë, më popullorja në histori

Tiranë, 30 dhjetor – Lëvizja Aleanca Kuq e Zi bën bilancin për vitin 2011-të duke u vetë cilësuar si lëvizja më popullore në histori. Ndër sukseset e tyre ata rendisin fitoren e betejës me censusin, pasi sic thotë AK, “Gjykata Kushtetuese rrëzoi faqezinjtë”.
Ndër objektivat e kësaj lëvizje për vitin 2012 është denoncimi i çdo politike antishqiptare, ashtu sic kanë bërë edhe gjatë 2011. AK deklaron se në 17 janar kjo lëvizje do të shpallë nga Kruja, objektivat për të ardhmen e shqiptarëve. “Më 17 janar do jemi në Krujë për të përkujtuar Skënderbeun dhe për të shpallur objektivat për të ardhmen e shqiptarëve. Në kalanë e Krujës do valëvitet flamuri gjigant. 2012-ta përfaqëson fundin e botës antishqiptare”, sipas AK.

Tags
Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close