VIP

Flori Mumajesi akuzohet për borxhe të pashlyera

flori mumajesiNëse shpesh keni pyetur se kush është personi që fshihet pas tri vajzave të “Thumb”, “Sara’s Show” dhe videove të transmetuara në kanalin Nitro Shqip në YouTube, ku në shënjestër janë kryesisht artistët, Panorama ka marrë një dokument që e zbulon pronarin. Ai është kantautori i njohur, Florian Mumajesi, i cili ka hedhur firmën në kontratën me kompaninë “Acromax”, në lidhje me të drejtat e përdorimit të hapësirës së transmetimit dhe shpërndarjes në YouTube.

Kontrata vërteton pronësinë e këtyre emisioneve të prodhuara në periudhën 27.10.2012 deri më 31.03.2013, emisione që janë prezantuar nga Aulona Musta, Fatma Haxhialiu dhe Dasara Karaiskaj. Në dokumentin e ërpërmendur, kontraktues me “Acromax” si pronari i emisionit, është Flori.

Ky fakt u bë i ditur nga një dokument i paraqitur pranë gazetës Panorama, ku thuhet se “Acromax” ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën për distribuimin e këtyre emisioneve në YouTube, për arsye të problemeve juridike të verifikuara që lidhen me temat dhe përmbajtjen e tyre.

I kontaktuar për këtë çështje, drejtori i Përgjithshëm i “Acromax”, Aldor Nini, ka sqaruar se: “Në muajin e gjashtë të kësaj kontrate me Mumajesin, vendosëm për prishjen e saj për arsyen se emisioni deri më sot i ka krijuar kompanisë ‘Acromax’ një dëm të drejtpërdrejtë në para (ku përfshihet pagesa kundrejt palëve të treta, si avokatë, gjyqe etj.) prej 34.000 eurosh, nga të cilat rreth 18.000 euro janë ende të pakompensuara nga pronari i emisionit, Flori Mumajesi”.

Sipas Ninit, ky dëm ekonomik për “Acromax” parashikohet të jetë edhe më i madh në të ardhmen, për arsye se çështjet gjyqësore ndaj emisioneve nuk kanë përfunduar ende. Më tej, ai sqaron se në këtë shumë parash nuk janë përllogaritur çështjet gjyqësore mes këngëtares Rovena Stefa dhe vajzave të emisionit ‘Thumb’, Aulona dhe Fatma, pasi Rovena nuk ka hapur proces gjyqësor ndaj kompanisë “Acromax‘” në këtë rast, por direkt për vajzat që moderojnë emisionin “Thumb”.

Në të gjitha çështjet e zhvilluara është vërtetuar nga seancat gjyqësore që emisioni nuk kritikonte në mënyrë të drejtë, pra të ligjshme, temat, ku përmenden artistë apo njerëz të njohur të ekranit dhe ka mosrespektim të të drejtave autoriale, kur merreshin fotografi ose video nga palë të treta, të vërtetuara këto në gjyq.

“Sigurisht që ne për arsye që kemi ende një kontratë me pronarin Mumajesi, për vepra të tjera nga tregu i muzikës, nuk mundemi të shprehim ose të kemi ndonjë mendim publik për këto vendime të gjyqit, por mund të deklarojmë që dëmi ekonomik ndaj nesh është final, domethënë nuk është i rikthyeshëm”, shton Nini.

Në sqarim të mëtejshëm të kësaj çështjeje, ai pohon se: “Vendimi i marrë nga ‘Acromax’, që të mos zgjatet kontrata pas datës 31 mars 2013 me Flori Mumajesin, për emisionet ‘Thumb’ dhe ‘Sara’s Show’ ishte sidomos për arsye se emisioni kishte mangësi në respektimin e rregullave ligjore, që respektohen nga mediat në bazë të legjislacioneve ndërkombëtare, të cilave u nënshtrohet edhe Shqipëria”.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Close