VIP

Flori Mumajesi, femrat në jetën e tij dhe Elvana

Muzikën e tij e kanë pikë referimi shumë artistë shqiptarë…Është padyshim hitbërësi më i famshëm në të gjitha trevat shqipfolëse, është sigurisht kantautori më i lakmuar nga të gjithë këngëtarët, është përfundimisht një prej autorëve me më shumë trofe në muzikën tonë. Flori Mumajesi rrëfehet. Femrat në jetën e tij dhe Elvana, muzika dhe albumi, suksesi dhe…çfarë tjetër?! Zbulojeni për më shumë në vijim të kësaj interviste…

Flori përshëndetje!
E fillojmë bisedën me albumin që vetëm pak kohë më parë e keni nxjerrë në treg. Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe ç’impakt keni marrë nga fansat?
Ishte një detyrim ndaj atyre që më kanë përkrahur, atyre që e kanë dëgjuar muzikën time dhe gjithmonë më pyesnin dhe më kërkonin një album. Më kërkonin një CD ku të kishin mundësi të dëgjonin 16 këngë. Kështu për të mos thënë shumë fjalë, padyshim që jam i shumë i kënaqur, të paktën la një shenjë dhe në fakt ky ishte qëllimi, jo vetëm nga përmbajtja këngëve, por edhe sepse në të njëjtën ditë u lancuan dy albume, albumi im dhe ai i Elvana Gjatës që vizualisht dukej sikur kishin gati të njëjtin hov. Në të njëjtën ditë 32 këngë, e parë kjo nga pikëpamja e një krijuesi është shumë emocionuese.
Mendoni se diskografia në Shqipëri është OK? A fitojnë artistët përmes albumeve, duke pasur parasysh piraterinë e këngëve në internet…
Diskografia nuk është ok, është përtokë! Do të çuditesha nëse të paktën këto dy vitet e fundit ka fituar dikush! Nuk ndodh vetëm në Shqipëri ky fenomen, sepse kudo ka një rënie të blerjeve në total, e jo më të CD-ve. Ka ndikuar shumë edhe pirateria virtuale, por ne në Shqipëri përfshi këtu edhe Kosovën kuptohet, si të mos mjaftonte kjo, kemi pirateri edhe të CD-ve! Sepse pronarët e disa prej shtëpive diskografike, që në fakt tani janë shumë pak sepse një pjesë ka falimentuar, kanë qenë dhe janë kasap të muzikës. E them këtë sepse rastin e fundit e kam provuar vetë. Nga pirateria apo edhe pakujdesia virtuale, “jo e imja” qarkulloi në internet një demo të cilën unë e kisha realizuar për këngëtaren Shkurte Gashi dhe një nga këta që përmenda më sipër e nxori në një përmbledhje, vuri foton time dhe e shiste si pa të keq. Kjo nuk është diskografi sigurisht.
Sezoni dimëror ka mbërritur, si i keni ofertat në këtë stinë?
Koncertet funksionojnë shumë thjeshtë, duhet të ofrosh edhe ti, pra në një formë të investosh dhe të sjellësh në treg këngë të mira. Nëse këtë e bën mirë edhe ofertat janë të mira.
Dikur keni thënë se këngëtarët të cilëve u realizonit këngë fitonin shumë më shumë se ju. Sa kushton një këngë prej Florit?
Po e kam thënë dhe në një formë e vërtetova. Sa i përket çmimit të këngëve apo të koncerteve nëse do të pronocohesha do ndihesha sikur do më bëhej llogaria ime personale, (qesh), këngëtarët e dinë dhe unë me ta punoj.
Adhuroni shumë femra në këngët tuaja, po në jetë a ka ndonjë femër që adhuroni (veç nënës dhe ndonjë aktoreje hollivudiane)?
Jo, nuk kam fiksime të tilla, figura të Hollivudit, (qesh), por normal si të gjithë edhe unë kam pasur histori të ndryshme dhe kjo më ka frymëzuar gjithmonë të krijoj për dashurinë apo për të kundërtën e saj.
Po përjetoni tashmë një periudhë të “qetë” nga pikëpamja sentimentale? A mund t’i referohemi dikujt në veçanti për momentin?
Shumë mirë e the, të qetë dhe pa thonjëza…
Në rubrikën rozë janë publikuar mjaft lidhje tuajat me femra të njohura të spektaklit, kryesisht muzikës. Sa e vërtetë është kjo? Keni pasur vërtet lidhje me shumë këngëtare?
Mua nuk më rezulton kështu, kjo varet se kujt i thoni këngëtare ju.
Flitet se ju kanë parë të shoqëruar në disa vende publike, përfshirë fundjavat apo pushimet verore me një femër VIP. Ku ka zë, nuk është pa gjë thotë populli. Do të na thoni vetë emrin?
Ku ma gjen të kisha bërë pushime, ku ma gjen të isha edhe i shoqëruar, ku ma gjen që këto fjalët që thotë populli të ishin gjithmonë të vërteta! Sidomos në këtë rast. E formulova edhe unë si fjalë të urtë popullore edhe pse në fakt do të shtiresha po t’i përgjigjesha ndryshe.
Kush është thashethemi më ‘i keq’ që keni dëgjuar kohët e fundit dhe sa ndikoi në jetën tuaj ai?
Që unë vjedh këngë, por nuk më ndikon për sa kohë punoj.
Vetëm me Elvanën bashkëpunimet kanë zgjatur? Përse?
Sepse gjithë këto vite kemi ditur të punojmë dhe të kemi një bashkëpunim të shëndoshë. Është shumë e vështirë që bashkëpunimet te zgjasin kaq shumë sot. Kaq shumë vite, kaq shumë punë, kaq shumë stres, kaq shumë këngë, në kuptimin e plotë të fjalës ajo është muzika ime.
Mos ndoshta suksesi i Elvana Gjatës është i lidhur pazgjidhshmërisht me tuajin?
Edhe e kundërta, prandaj kam gjithmonë besim tek ajo, sepse ka vërtetuar që edhe ajo ka tek unë besim dhe për këtë i jam mirënjohës.
Për shembull nëse ju një ditë nuk do të ishit më producent i Elvanës, a mund ta parashikoni të ardhmen e saj në muzikë?
Për mua ka qenë, është dhe do të mbetet vetëm 1 Elvana, sigurisht që edhe pa mua ajo do të ishte e adhurueshme, Elvana jo gjithmonë do të bashkëpunojë me mua, nuk mund të bashkëpunojmë gjithë jetën, sepse kjo formulë nuk është gjithmonë produktive. Nuk është tabu as për mua, e as për Elvanën.
A kanë producentët këngëtarë të preferuar? Ju cilën këngëtare vlerësoni më shumë, përveç atyre që ke bashkëpunime të ngushta?
Kam disa, pastaj ne kemi një problem! Na i ngelet hatri po nuk i përmendëm edhe ato për të cilat kam realizuar jo më shumë se një këngë. Dua të them se është e kuptueshme kur punon disa materiale për një këngëtar, e vlerëson bashkëpunimin.
Kolegët ju kanë shpallur ‘rivalitet’ të heshtur krijimtarie dhe kompozimi, mos është ky motivi që eksperimentoni zhanre të ndryshme muzikore?
Kolegët? Nëse kam bërë eksperimente i kam bërë se më pëlqen të eksperimentoj, natyrisht që më kanë kombinuar sepse këngëtarët kur bëjnë këngë diku i thonë producentit: Ej po si ta bëjmë një beat si x këngë duke ju referuar materialeve punuar nga unë. Kështu që sa të tingëllojnë të gjitha sikur janë njësoj apo bërë nga unë, më mirë të luajmë pak.
Profesionalisht nga një sy kritik gazetaresk dukeni i realizuar, por në jetën personale kur mendoni të krijoni një familje?
Kur të ndihem i realizuar.
Si ndiheni kur shihni që shumë nga kolegët me të cilët nisën muzikën tashmë janë stabilizuar?
Uroj të kenë shijuar sa më shumë nga jeta.
Cila është situata më e keqe dhe më e mirë që keni kaluar kohët e fundit?
Nuk do të thoja që kam kaluar një situatë të keqe, asnjëherë nuk e dimë të keqen dhe sa e keqe është. Gjithmonë ka edhe më keq. Njësoj edhe për mirë.
Klipet tuaja kanë gjithnjë një fabulë të veçantë, ndryshe…Sa e rëndësishme është kjo pjesë e këngës për ta lançuar atë më bindshëm tek publiku?
Është shumë e rëndësishme, mua fabulat e klipeve më pëlqen që t’i përshtaten gjithmonë një pjese të karakterit tim.
Ku e gjen frymëzimin Flori Mumajesi, për të krijuar në mënyrë të vazhdueshme në muzikë?
Po ta dija do ju a thoja, por më mirë që nuk e di.
I hedhim një sy tregut muzikor shqiptar…Le të themi se “ia keni gjetur mendjen” publikut…Cili është çelësi i këtij suksesi? Si e keni zbuluar se çfarë kërkojnë shqiptarët?
Mjafton të tingëllojë bukur, muzika nuk ka formula, ndoshta sepse e bëj unë dhe unë jam njësoj si të gjithë shqiptarët.
Çfarë opinioni rezervoni për festivalet e këngës shqiptare?
Po filloj t’i ndez motorët dhe të vazhdojë udhëtimin.
Cila është surpriza e radhës që keni rezervuar për publikun?
Nuk do të jetë surprizë, janë të papritura. Do mundohem të bëjë atë që di të bëjë më mir.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Close