KosovaLajmePolitika

Kosova njëherë për njëherë nuk është e rrezikuar nga sulmet terroriste

Sulmi i përgjakshëm mbi redaksinë e revistës franceze satirike Charlie Hebdo dhe sulmi në tregun hebre në Paris, sipas informacioneve të ekspertëve të shërbimeve sekrete amerikane janë vetëm fillimi i një vale terrorizmi në mbarë Evropën.

kosova

Sipas gazetës gjermane “Bild am Sonntag” – e cila u referohet ekspertëve të shërbimeve sekrete amerikane – specialistët e përgjimit të shërbimit sekret nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) kanë regjistruar biseda telefonike të udhëheqësve të xhihadistëve të Shteti Islamik (IS). Në bisedat e përgjuara të krerëve të IS-it është folur për një valë të gjerë terrori në mbarë Evropën.

Masakra në zyrat e gazetës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, që la të vdekur 12 persona, dhe viktimat e tjera gjatë ditës së premte ndërmjet shkëmbimit të zjarrit të policisë franceze me terroristët, jo vetëm që ka prekur kosovarët, por ka shtuar pasigurinë se sulme të tilla mund të ndodhin edhe në Kosovë. Si një vend që njihet për grupe që mbështesin luftërat në Siri dhe Irak, edhe Kosova sipas, njohësve të çështjeve të sigurisë nuk mund të jetë e mbrojtur nga sulmet terroriste, shkruan “Zëri”.

Rreziku parashihet me prezencë të elementeve të radikalizmit të disa grupeve të vogla, bashkëpunimi me pjesëtarë të popujve arabë dhe lidhjet me këta të fundit përmes fondacioneve dhe organizatave të ndryshme.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se sulmi terrorist nga disa pjesëtarë të komunitetit mysliman në Francë, nuk duhet as të krahasohet, e as të merret si model se në vendin tonë mund të ketë raste të tilla.

“Kosova është ende larg shkallës së rrezikshmërisë sepse këtu mund të marrin aksione terroriste. Është për t’u krenuar se në vendin tonë edhe pse ka elemente të radikalizmit të disa grupeve të vogla, bashkëpunimi me pjesëtarë të popujve arabë dhe lidhjet me këta të fundit janë të vogla dhe shumë lehtë të identifikueshëm”.

Të krahasosh Kosovën me Francën, ai thotë se është e pakuptimtë jo vetëm për shkak të numrit të madh të arabëve në Francë, por edhe për shkak të pozitës gjeopolitke dhe gjeostrategjike që ka Franca. “Pastaj kjo e fundit njihet si kolonizatori më i madh i vendeve arabe. Pra hasmëritë janë shumë të vjetra se sa vetë terrorizmi”.

Islami thotë se në Kosovë jo vetëm se nuk është rritur shkalla e rrezikshmërisë, por përkundrazi me arrestimin e disa imamëve të dyshuar që po përhapin ideologji radikale, shkalla e rrezikshmërisë ende mbetet në nivelin e dytë, me tendencë gjithnjë në rënie.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Close