Kosovë, aksion si nëpër filma, policia terrorizon qytetarët amerikanë (VIDEO)

0 79

Dy shtetas amerikanë në Kosovë, Jonay dhe Olga Jonay kanë menduar se kanë rënë pre e dy kriminelëve të armatosur.

a-88-650x344

Por, njerëzit që po u drejtonin armët ishin pjesëtarë të njësisë së mbrojtjes së afërt, të Policisë së Kosovës. Ramadan Krasniqi dhe Bajram Gashi në atë kohë kishin nën mbrojtje kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Kjo ngjarje që duket si në filma aksion është e incizuar me celular. Ka ndodhur një vit e gjysmë më parë në hyrje të Fushë-Kosovës. Gjithçka nisi kur polici i veshur civil Bajram Gashi, i drejtoi pistoletën makinës në të cilën ndodheshin përveç amerikanëve, edhe Blerim Ramosaj dhe Besnik Tahirukaj.

Në hyrje të autostradës në Gjurgjicë, civilët po udhëtonin në korsinë e shpejtësisë. Prapa tyre vjen me shpejtësi të madhe makina civile Toyota. Prej xhamit të saj, polici Bajram Gashi nxjerr pistoletën dhe ia drejton mjetit duke paralajmëruar shoferin që të lirojë korsinë e shpejtësisë.

Kur udhëtarët shohin se dikush po u drejton revolen, thërrasin Policinë dhe i vihen pas makinës civile me të cilën udhëtonin dy policët. Nisin të xhirojnë ngjarjen dhe komunikimin me stacionin policor në Fushë-Kosovë.

Mirëpo, në hyrje të Fushë-Kosovës në kryqëzimin e autostradës që çon për në Shkup, policët u bllokojnë rrugën udhëtarëve. Të dy të veshur me rroba civile, nxjerrin armët duke kërkuar nga ta të dalin nga makina. Hasin në rezistencë. Atyre nuk u hapet dera e as dritarja derisa të vije patrulla e uniformuar policore nga Stacioni policor i Fushë-Kosovës.

Katër udhëtarët përfshirë shtetasit amerikanë shoqërohen në Stacionin policor në Qendër si të dyshuar. Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Basri Morina kishte dashur që t’u caktonte ndalim policor prej 48 orësh.

Pasi ishte njoftuar Ambasada Amerikane për incidentin, në stacion të Policisë kishte shkuar kryeprokurori, Imer Beka. “Lirojini njerëzit se nuk ka vepër penale këtu”, kishte thënë ai pasi kishte shqyrtuar rastin.

Në rast ishte implikuar Inspektorati Policor i Kosovës për të kryer hetime penale kundër policëve. IPK kishte mbyllur rastin “në mungesë të veprës penale nga ana e policëve”.

Pasi ishte vendosur që të “dyshuarit të liroheshin”, Policia kishte kërkuar të fshihej incizimi. Ishte bërë presion mbi ta për ta fshirë atë. Personi që kishte incizuar kishte gënjyer se e ka fshirë incizimin. Pas kësaj ishin lënë të lirë.

Në Inspektoratin Policor kanë thënë se hetime nuk janë kryer për shkak se nuk ka pasur elemente të veprës penale. Kanë thënë se me këtë çështje është marrë Standardet Profesionale në Polici.

Por, Policia për më shumë se një javë nuk ka kthyer përgjigje nëse ka kryer hetime disiplinore apo jo ndaj policëve. Për këtë incident nuk është përgjigjur as Ambasada Amerikane në Kosovë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.