Kumanovë: “Shokët e mi u tradhtuan, ishte kurth”

73

Luftëtari i njohur si Ali Ahmeti rrëfen motivin e pranisë së grupit në Kumanovë

Sulmi në Kumanovë ndaj grupit të shqiptarëve ka qenë një kurth. Ky është pretendimi i një prej bashkëluftëtarëve të arrestuar, Abaz Salihi, i cili është njohur si Ali Ahmeti gjatë luftës së vitit 2001, bashkë me Mirsad Ndrecajn, Sami Ukshinin, Beg Rizajn dhe të tjerë. Ai ka shpjeguar se shokët e tij kishin shkuar në Kumanovë, pasi kishte informacion se policia maqedonase do të bënte masakër ndaj popullatës, por sapo kanë mbërritur aty kanë rënë pre e sulmeve policore.

Sokoli

Komploti

“Shokët e mi kanë shku në Kumanovë, jo për të nisur luftë, por për të qenë aty në rast se forcat e ndryshme maqedonase fillojnë masakër kundër popullatës civile. Ne kishim një paralajmërim të këtillë dhe ata shkuan të ftuar atje nga disa bashkëluftëtarë të 2001-t. Sulmi ka pas me ndodhë edhe po të mos ishin djemtë tanë atje. Për këtë flet edhe numri i madh i viktimave në radhët e policëve. Tetë policë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, në aksion ofensiv, ku kundërshtari është nën rrethim, ndodh vetëm kur ti pret pak ose aspak rezistencë. Unë i kam kalu tri lufta dhe e di shumë mirë se në çfarë rrethanash ka numër të madh të viktimave”, ka deklaruar Salihi. Por, ai nuk ka qenë i vetmi, i cili ka hedhur akuza për një komplot, pasi të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe UÇK-ja gjatë një deklarate publike, por ka pretenduar se grupi ishte tradhtuar nga disa banorë.

Autoritetet

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka vijuar me publikimin e videove për të treguar përgatitjen e grupit, që e ka cilësuar terrorist. Në një video të re të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme shihet momenti i arrestimit të më shumë se dhjetë personave të grupit që luftoi në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Në video vihet re edhe komandant Sokoli, i cili është plagosur në kokë dhe dje u pretendua se ai nuk është arrestuar nga policia maqedonase. Gjithashtu, Ministria e Brendshme pritet të japë informacion të detajuar, sidomos për ambasadat e huaja që aderojnë në vendin fqinj, sipas një vendimi të marrë nga Këshilli i Sigurisë, i mbledhur prej dy ditësh nga Presidenti i Maqedonisë. Këshilli ka dalë dje në një deklaratë, ku ka kërkuar që qeveria të njoftojë për gjendjen e sigurisë publike dhe të bëjë transparencë për operacionin në Kumanovë, për të cilin ka pasur kritika të shumta edhe nga ndërkombëtarët.

Reagimi i DASH

Madje, pas reagimit të OKB, edhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se qeveria amerikane po ndjek nga afër situatën në Maqedoni dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe udhëheqësit politikë të këtij vendi. Zyrtari u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë zbardhjen e fakteve për dhunën në Kumanovë. Diplomati amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Maqedonisë të bashkëpunojnë dhe të hapin një dialog për zgjidhjen e sfidave me të cilat ndeshet vendi i tyre, si krizën e zgjatur politike dhe realizimin e reformave të nevojshme.

Masat në kufi

Sulmi në Kumanovë mësohet se ka sjellë forcim masash në të gjitha pikat kufitare të Maqedonisë, duke përfshirë edhe ato me Shqipërinë. Prania e forcave maqedonase në kufi me Shqipërinë është rritur ndjeshëm gjatë ditës së djeshme, sidomos në Doganën e Bllatës, ku vazhdimisht ka ardhur duke u rritur numri i forcave policore e ushtarake. Lajmi konfirmohet nga banorët e zonave përreth dhe nga krerët e komunave. Sipas tyre, shtimi më i dukshëm i forcave maqedonasve, policore dhe ushtarake, në kufi me Shqipërinë, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme.

Comments are closed.