LajmeMaqedonia

Kush i vrau vërtet policët, snajperët e fshehtë të Sasho Mihallkovit apo dikush tjetër?

Kastrtiot Myftaraj njohës i mirë i zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Ballkani nuk pati retorikë diplomatike por tha shkurt se njëri nga komandatët e dyshuar nga Kosova për betejën në Lagjen në Trimave në Kumanovë është komandant Facebooku.

Komandant “Malisheva” (Muhamet Krasniqi) do të hyjë në histori se e paralajmëroi luftën, në detaje, në Facebook thotë Myftaraj.Sipas tij njoftimi paraprak i luftës në Facebook tregon se Muhamet Krasniqi nuk trembej nga shërbimet e fshehta maqedonase.

Komandant “Malisheva” nuk mund të mos ishte i vetëdijshëm se po niste një luftë atëherë kur kjo i shërbente shtetit maqedon të kontrolluar nga VMRO-DPMNE dhe katërshja Gruevski-Ivanov-Jankulovska-Mijallkov, për shkak se Maqedonia gjendej në prag të luftës civile mes vetë sllavo-maqedonëve, pas publikimit të “bombave” të kryetarit të opozitës Zajev. Se kush i vrau vërtet policët, shqiptarët e “UÇK” apo sniperët e fshehtë të Mihallkovit, kjo nuk do të mësohet kurrë.

51
Shkrimin e plotë mund të lexoni në vazhdim.

Komandant “Malisheva” (Muhamet Krasniqi) do të hyjë në histori se e paralajmëroi luftën, në detaje, në Facebook

E meriton të quhet Komandant “Facebook”-u ky Muhamet Krasniqi nga Kosova, i quajtur Komandant “Malisheva”, i cili u arrestua i plagosur nga Policia e Maqedonisë në Kumanovë. Nëse performanca luftarake e forcave të tij ishte një katastrofë e vërtetë në të gjitha aspektet e luftës guerrilase, Komandant “Malisheva” me siguri që do të hyjë në histori për shkak se lufta që ai nisi është e para luftë guerrilase e paralajmëruar deri në detaje në rrjetet sociale.

Manualet e luftës guerrilase thonë se parakushti i suksesit të një lufte guerrilase është që të ruhet sekreti veçanërisht i goditjeve të para të saj. Si një ish-luftëtar me përvojë pjesëmarrës në luftën e Kosovës, në 1998-99 dhe në Luftën e vitit 2001 në Maqedoni, Muhamet Krasniqi nuk mund të mos e dinte këtë rregull. Guerrilasit duhet t’ i nënshtrohen ligjit të hekurt të konspiracionit që ështe thelbi i disiplinës së tyre. E megjithatë Komandant “Malisheva” e ka shkelur këtë rregull duke e dekonspiruar luftën e ardhshme në… Facebook!
Postimi i parafundit i Komandant “Malishevës” në profilin e tij në Facebook “Muhamet Krasniqi Malisheva” është i datës 28 mars 2015. Në këtë postim ai thotë:

“Po SIKUR PRAP TE KETE LUFTE SA SHQIPETAR DO LUFTONIN?”

Poshtë këtij statusi ka disa komente interesante të Muhamt Krasniqit, si përgjigje ndaj komentuesve të tjerë. Në një koment të tij në këtë status, Komandant “Malisheva” saktëson se bëhet fjalë për një luftë të afërt në Maqedoni:
“Valla zija nashta ti mir je po shqiptart ne Maqedoni jan me te shkelur se para 2001 shum jan bo skllav te sllaveve e qe po ju vjen koha me pagu gjynahet qe i kan shkaktu popullit.”
Në një tjetër koment më poshtë, Komandant “Malisheva” thotë:
“Ditet e numeruara i kan o shoqi jem.”

Duke mos u mjaftuar me kaq, Komandant “Malisheva”, në një koment më poshtë, përmend edhe Likovën dhe Kumanovën, në një mënyrë të tillë që duket se ato janë zonat e para ku synohet të nisë lufta dhe të mobilizohen njerëzit:
“Me xhemen e likoves hajnin e sadullah durakin po kan vjedh mor njerzit prej kumanoves falas i kan pru qorap e cigare xhem likoven ja kam nxan fletoren ka 5 marka ish kan ty shkru edhe kur nisa me bo tmadhe u qu sadullah podrumi e krejt qa kan nejt podruma ose u dash mi vra o mi lshu po kto jon tradhtart e kombit kto lypet mi vra pjell e flliqur po vjen dita shpejt per kta legena.”

Komandant “Malisheva’ që është edhe një veteran i rrjeteve sociale përveçse i luftrave në hapësirën shqiptare, nuk mund të mos e dinte se rrjetet sociale shqiptare monitorohen nga shërbimet e fshehta të huaja, duke përfshirë edhe atë maqedon. Një postim i tillë nga një njeri si Muhamet Krasniqi, në kohën që qarkullonin fjalë për një luftë të re në Maqedoni, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e monitoruesve të rrjeteve sociale shqiptare, në zyrat e specializuara të vendeve fqinje e më gjerë.

Komandant “Malisheva” nuk mund të mos ishte i vetëdijshëm se po niste një luftë atëherë kur kjo i shërbente shtetit maqedon të kontrolluar nga VMRO-DPMNE dhe katërshja Gruevski-Ivanov-Jankulovska-Mijallkov, për shkak se Maqedonia gjendej në prag të luftës civile mes vetë sllavo-maqedonëve, pas publikimit të “bombave” të kryetarit të opozitës Zajev.

Komandant “Malisheva” e nisi luftën e re në Maqedoni jo si ushtar i UÇK, por si ushtar i UÇG (Ushtrisë për Çlirimin e Gruevskit). Kur nisi lufta në Kumanovë Gruevski gjendej i ngujuar, i rrethuar në pallatin e tij me arkitekturë delirante imperiale aleksandrine, i kërcënuar nga një protestë popullore që pritej të shkallëzohej deri në dhunë të pakontrolluar pas publikimit të “bombave” të reja të Zajev që do të zbulojnë se Gruevski është fajtor për terrorizëm shtetëror. Gruevskit i duhej një luftë e nisur nga shqiptarët për të akuzuar Zajevin se me “bombat” e tij kishte futur shtetin në kaos dhe i kishte trimëruar terroristët shqiptarë, duke e vënë kështu Maqedoninë në rrezik. Dhe pastaj Gruevski do të dilte si shpëtimtar i Maqedonisë me anë të një aksioni antiterrorist.

Njoftimi paraprak i luftës në Facebook tregon se Muhamet Krasniqi nuk trembej nga shërbimet e fshehta maqedone. Ai praktikisht njoftoi se jo vetëm do të niste një luftë brenda pak ditëve, por edhe vendin se ku do të nisë, në Likovë, në Kumanovë. Një siguri e tillë Krasniqit mund t’ i vinte vetëm nga garancia që kishte prej Sasho Mijallkovit, shefit të shërbimeve të fshehta maqedone, i cili ishte ngarkuar prej Gruevskit të konceptonte dhe zbatonte skenarin e luftës së re shqiptare në Maqedoni.

Postimi i fundit i Komandant “Malishevës” në profilin e tij është bërë në 21 prill ditën e sulmit të armatosur ndaj stacionit policor në Goshincë të Likovës (Kumanovë). Në këtë ditë Krasniqi ka postuar një fotografi me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Kumti i nënkuptuar është i qartë. Pas 21 prillit nuk ka pasur më asnjë postim në profilin e Muhamet Krasniqit.

Është e kotë që të ankohen se janë spiunuar ata luftëtarë shqiptarë pjesëmarrës në aksionin e Kumanovës. Për çfarë spiunimi bëhet fjalë kur një nga komandantët e paralajmëron luftën me detaje në rrjetet sociale?! Nëse Krasniqin dhe ushtarët e tij i ka tradhtuar dikush, ky është Sasho Mihallkovi, domethënë Gruevski. Paralajmërimin e luftës në Facebook Krasniqi e ka bërë si një masë mbrojtëse, që sido që të shkonin gjërat nesër, ai të mund të të shfajësohej, duke thënë se nuk bëhej fjalë për një gjë serioze, por për një luftë të rreme. Kështu i kishin thënë ata që i dhanë paratë për të simuluar luftën në Kumanovë. Pra i kanë thënë se do të qëllojmë të dy palët në ajër, mund të vritet edhe ndonjë njeri nga secila palë, por në fund, pas disa ditëve zhurmë, “brigada” e Krasniqit dhe “brigadat” e tjera të UÇK do të largoheshin lirisht.
Ajo çka nuk e dinte Krasniqi dhe komandantët e tjerë të “UÇK” ishte se Gruevski iu kishte kërkuar gjakderdhje Mihallkovit dhe Jankulovkës. Se Gruevskit i duheshin disa policë të vrarë për të vërtetuar akuzën e tij ndaj Zajevit, se me “bombat” e tij po e rrezikonte Maqedoninë. Policët u vranë në fakt nga “bombat’ e Zajevit donte të thoshte Gruevski. Se kush i vrau vërtet policët, shqiptarët e “UÇK” apo sniperët e fshehtë të Mihallkovit, kjo nuk do të mësohet kurrë.

Një gjë është e sigurt. Një luftë guerrilase të cilën një prej komandantëve të saj e paralajmëron me detaje në Facebook është një luftë e rrejshme. Muhamet Krasniqi e meriton të quhet Komandant “Facebooku” i UÇG (Ushtrisë për Çlirimin e Gruevskit).

Rasti i Komandant “Malishevës’ dhe i kolegëve të tij “komandantë’ në luftën e fundit në Maqedoni, është ana tjetër e medaljes së trishtuar të degradimit të clirimtarëve. Njëra anë është ajo e Ali Ahmetit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit me shokë. Ana tjetër është kjo e Muhamet Krasniqit me shokë.

Show More

Related Articles

Back to top button