Kronika e ZezeLajmeMaqedonia

Maqedonasit kërkojnë Memorial Për “Heroin” Shqiptar

Një fushatë në Facebook është duke bërë thirrje për të ndërtuar një memorial për një të ri shqiptar, i cili u vra derisa po përpiqej ta mbrojë mikun e tij maqedonas nga sulmuesit.

jashari
Muhamed Ali Jashari vdiq në vitin 2011 duke u përpjekur për të mbrojtur mikun e tij maqedonas.

Mbështetësit e fushatës së Facebookut  janë duke u bërë thirrje kandidatëve për kryetarë bashkie të Shkupit që të premtojnë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që mbahet më 7 prill, se do të ndërtojnë të paktën një memorial modest për të shënuar heroizmin e 19-vjeçarit Muhamed Ali Jashari.

“Ruajtja e kujtesën për veprën e djalit të vrarë, të injoruar nga të gjitha çmimet përkatëse shtetërore, do të kontribuojë për unitet mes të gjithë njerëzve që jetojnë në Shkup dhe në Maqedoni”, thotë faqja e fushatës.

“Ai do të jetë shembull për fëmijët e tjerë, një shembull i bashkëmoshatarëve të tyre që nuk u dha pas propagandës nacionaliste dhe ndarjeve etnike”, thuhet aty.

Muhamed Ali Jashari vdiq më 8 prill 2011, në oborrin e shkollës së mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup, pasi që u godit në gjoks nga një prej problematikëve me të cilët u konfrontua.

Sipas raportit të policisë, ai po dilte nga ndërtesa e shkollës, kur pa shokun e tij Darko Jancev duke u sulmuar në oborr, nga tre djem problematikë dhe nxitoi për ta ndihmuar atë.

Sulmuesit, një prej tyre i mitur, shpejt mbizotëruan dy adoleshentët, duke i rrahur deri në alivanosje, kanë thënë dëshmitarët në një gjykatë në Shkup, gjatë gjykimit të tre sulmuesve të dyshuar.

Jancev mbijetoi, por Jashari vdiq në spital më vonë atë ditë.

Vdekja e tij tronditi vendin, por thirrjet fillestare për ta përkujtuar u harruan shpejt nga autoritetet.

Pas iniciativës së re në Facebook që filloi këtë javë, reagimet fillestare nga garuesit për kryetarë të komunave janë pozitive.

“Ne nuk kemi njohuri për iniciativën, por në parim ne nuk kemi asgjë kundër saj … Kryetari do ta shqyrtojë atë”, tha një zyrtar nga selia e zgjedhjeve të kryetarit të tashëm të Shkupit Koce Trajanovski, i cili kandidon për një mandat të dytë dhe udhëheq me vota pas raundit të parë të votimit.

Kundërshtari i Trajanovskit, Jani Makraduli, gjithashtu përshëndeti propozimin.

“Njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë një lloj përkujtimi … por pyetja shtrohet pse kjo nuk është bërë nga autoritetet e qytetit më herët”, tha Makraduli nga selia e fushatës së tij.

Veprimi vjen në mes të marrëdhënieve të brishta ndëretnike në Maqedoni, ku shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milion banorëve.

Këto tone të pajtimit që përçon fushata, janë në kontrast të fortë me protestat e dhunshme etnike, të cilat shpërthyen për dy ditë rresht në Shkup gjatë muajit të kaluar.

Protestat përbëheshin pothuajse ekskluzivisht nga të rinjtë, shumë prej tyre dukshëm të mitur.

Në vitin 2001, Maqedonia kaloi nëpër një konflikt të armatosur, të shkurtër por intensiv, midis forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë.

Konflikt i cili përfundoi më vonë në të njëjtin vit, me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, që jepte më shumë të drejta për shqiptarët.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Close