VIP

Alba Meçaj refuzon te pozoj nudo

Ajo nuk është një modele e “zakonshme” që po ngre karrierën në Amerikë, ku është shndërruar shpejt në një prej fytyrave më të preferuara të katalogëve. Alba Meçaj, veç faktit që ka një bukuri ekzotike që të tërheq si me magnet, po investon bindshëm për shkollimin e saj. E larguar prej vitesh nga qyteti i saj i lindjes, Fieri, në drejtim të “tokës së ëndrrave”, bukuroshja që ka sy të shkruar,  por ngjan disi si aziatike, paralelisht me modelimin studion për Biologji.

Po, po, Biologji, ndoshta një ndër të vetmet modele në botë me një CV-i të tillë! E imagjinoni dot një biologe kaq seksi, që hulumton nëpër laboratorë me syze optike?! Jo, më mirë të jetë nëpër reklama e “fashion show”. Në sy të agjentëve amerikanë ra ndërsa merrte pjesë në një aktivitet muzikor në Nju Jork. “Mesa duket, stilistëve u ra në sy veshja ime në skenë. Muzikën e kam filluar në Fier, ku kam marrë pjesë në disa koncerte që zhvilloheshin tek Shtëpia e Pionierit. Ndërsa kur erdha në Nju Jork fillova të ndiqja modën dhe mësova sesa e rëndësishme është të ndjekësh trendët e fundit të look-ut, sepse është prezenca e parë që mund të pasqyrojë një person. Unë e shoh botën e modës si një formë arti që të krijon mundësinë të zgjedhësh imazhin që të përshtatet dhe të shprehësh vetveten midis të tjerëve”, – shprehet në intervistën e mëposhtme Alba, të cilës studimet i kanë kushtuar shpesh disa kontrata të hatashme. Ka humbur edhe një kontratë me “Maybelline”-in, megjithëse ka para shumë, rrugë e natyrisht mundësi pafund… “Shkolla për mua është shumë e rëndësishme. Ka raste që oraret e shkollës nuk më përputhen me oraret e agjencisë sime të modelimit, pasi shpesh kam oferta për të punuar në Azi, Turqi, Afrikën e Jugut etj., për një periudhë të paktën 8-mujore gjatë semestrave të shkollës”, – shprehet Alba, e cila më poshtë rrëfen edhe bindjen e saj për të mos pozuar nudo.

Nga Fjoralba Shahaj

Jeton prej vitesh në SHBA, por si modele je zbuluar vetëm gjatë një aktiviteti muzikor. Është e vërtetë kjo?

Po, ka qenë një ndër koncertet që zhvilloheshin nga shkolla e gjimnazit në Nju Jork. Mesa duket, stilistëve u ra ne sy veshja ime në skenë. Muzikën e kam filluar në Fier, prej nga jam, ku kam marrë pjesë në disa koncerte që zhvilloheshin tek Shtëpia e Pionierit. Mbaj mend se një prej tyre është filmuar nga stacioni televiziv AVN. Datat dhe titujt i kam të vështirë t’i kujtoj, por “My hear will go on” nga Celine Dion dhe “Pyes lotin” nga Elsa Lila kanë qenë këngët më të preferuara të miat, që edhe i kam performuar.

Si lindi pasioni për botën e modës te ty?

Atëherë, kur erdha në Nju Jork fillova të ndiqja modën dhe mësova sesa e rëndësishme është të ndjekësh trendët e fundit të look-ut, sepse është prezenca e parë që mund të pasqyroj një person. Unë e shoh botën e modës si një formë arti që të krijon mundësinë të zgjedhësh imazhin që të përshtatet dhe të shprehësh vetveten midis të tjerëve.

A je e sigurt që je 100% shqiptare, pasi nga pamja juaj mund të themi që jeni ¼ aziatike… (Qesh)

Hahaha…!  Është diçka me të cilën më kanë ngacmuar që në fëmijëri… Kineze me sy blu s’kemi parë ndonjëherë më thoshin, por patjetër që jam 100% shqiptare.

Duke iu referuar fotove që gjenden në internet, rezulton se ti ke realizuar shumë shërbime fotografike në SHBA. Për çfarë reklamash preferohet më shumë imazhi ty ekzotik?

Unë më tepër realizoj foto për kozmetikë dhe katalogë të tendencave të reja për komani të ndryshme rrobash.

Është e vërtetë që ke realizuar një reklamë për brand-in e njohur të xhinseve “Levi’s” dhe se je kontaktuar edhe për “Maybelline”-in?

Po, kam punuar me kompaninë  “Levi’s”  për një pjesë të xhinseve “id curve” të katalogut të tyre. Gjithashtu, agjencia ime u kontaktua për “Maybelline”, por unë s’pata mundësinë të paraqitesha në studio sepse nuk ndodhesha në NY… Ishte një shans që unë e humba, por kjo fushë kërkon pak fat dhe gatishmëri.

Megjithatë, ëndrra e shumë vajzave mbetet “Victoria’s Secret”, për të cilën edhe ti ke kryer një “fashion show”. Të jesh një ndër engjëjt e VS-së kaq e vështirë është?

Patjetër që të shndërrohesh në një nga engjëjt e VS-së është shumë e vështirë. “Victoria’s Secret” mbetet një ndër kompanitë me më shumë konkurrencë në mode. Modelet e “Victoria’s Secret” janë më të njohurat në botë dhe konkurrenca përfshin vajzat jo vetëm në SHBA, por nga të gjitha shtetet e botës. Për arsyen që  atje është “such high demant”,  pra ka kërkesa të larta,  ofertat e “Victoria’s Secret”  nuk realizohen kollaj dhe është e domosdoshme të kesh njohje në industrinë e modës.

Alba, pjesë e punës tënde është edhe të pozosh pa rroba, “topless”  apo nudo. Kur të është propozuar një gjë e tillë, e ke menduar dy herë?

E vërtetë që është pjesë e profesionit, por një modele ka të drejtë për ta refuzuar këtë gjë, kur kjo i kërkohet. Kur më është ofruar një situatë e tillë, unë thjesht nuk e kam pranuar.

Një fotograf mjaft i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është edhe Fadil Berisha. A ke pasur ndonjëherë rastin të punosh me të? Po me personazhe të tjerë të njohur shqiptarë a je ndeshur, si p.sh., me modelen e njohur Emina Cunmulaj?

Fadil Berishën kam patur rastin ta takoj, por nuk kam punuar me të. Më tepër kam punuar me grimuesen e njohur shqiptare, Suzana Hallili, e cila më ka ndihmuar shumë në hapat e para të suksesit tim. Ndërsa me Emina Cunmulajn kam rënë në kontakt dhe më pëlqen shumë si modele. Nuk e dija që ajo e fliste aq mirë gjuhën shqipe.

Një Master për Biologji të bën të dallosh mes modeleve të tjera. Si është e mundur, me kaq shumë të dhëna, talent në modelim, muzikë, aftësi për të hulumtuar AND-në etj?

Oh, shumë faleminderit për vlerësimin! As vetë nuk e di pse për Biologji, por shkolla për mua është shumë e rëndësishme. Ka raste që oraret e shkollës nuk më përputhen me oraret e agjencisë sime të modelimit, pasi shpesh kam oferta për të punuar në Azi, Turqi, Afrikën e Jugut etj., për një periudhë të paktën 8-mujore gjatë semestrave të shkollës.

Të kalojmë te sfera e ndjenjave. A e ke gjetur shpirtin binjak dhe nëse jo, do ta preferonit shqiptar?

Besoj se po. Gjithmonë më kanë tërhequr shqiptarët dhe ndihem shumë rehat me shqiptarët, edhe për shkak se një pjesë e madhe e shoqërisë sime është shqiptare.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button