ArsimiLajmeMaqedonia

Priten investime të reja në USHT gjatë 2011-ës

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), Agron Reka vitin 2010 e vlerësoi si mjaft të suksesshëm, si dhe shpalosi disa risi që do të realizohen gjatë vitit 2011. “USHT me angazhimin e faktorit politik shqiptar dhe atij qeveritar ka fituar hapësira shumë të nevojshme, të cilat janë bërë pjesë integrale për studimet e disperzuara në Dibër, Strugë, dhe shpresojmë që edhe Kumanova gjatë vitit 2011 do të fitojë hapësira të duhura për zhvillim e procesit mësimor shkencor”, tha Reka. Ai gjithashtu shtoi se gjatë 2011 priten edhe investimet kapitale për përfundimin e punimeve në objektet e reja për nevojat e Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik në Tetovë. Udhëheqësit e Universitetit, për nevojat e studentëve ka bërë lehtësime të konsiderueshme për pagesat e të gjitha llojeve. Rektori i USHT-së, sa i përket arritjeve të vitit 2010, thotë se ja vlen të theksohet bashkëpunimi ndërkombëtar i Universitetit, ku ka zënë vend të rëndësishëm në mesin e prioriteteve të udhëheqësisë aktuale. “Në këtë drejtim vlen të theksohet angazhimi ynë për nënshkrimin e Marrëveshjeve për bashkëpunim me një numër të konsiderueshëm të universiteteve nga vendi, regjioni dhe më gjerë, si Universitetin e Rjekës, Universitetet nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Turqisë, Universiteti në Kalabri, Universiteti i Parë Privat në Maqedoni-FON, Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë”, theksoi Reka. Sipas tij një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe sektorit civil dhe ndërmarrjeve të ndryshme, të cilat u ndihmojnë studentëve për marrjen e bursave dhe për zhvillimin e punës praktike. “Në vitin 2010, Universiteti ka bërë investime të konsiderueshme, mbi 1 milion euro, për sigurimin e hapësirave mësimore në programet studimore të disperzuara, në pajisjen e kabineteve, zyrave dhe laboratorëve, si dhe investime të tjera në infrastrukturën universitare”, tha Reka. Ndërkaq gjatë vitit që lamë pas, USHT e ka zhvilluar me sukses veprimtarinë arsimore shkencore në të dy ciklet e studimeve, studimet themelore dhe të magjistraturës, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore të Universitetit në Tetovë dhe programet studimore të disperzuara në Shkup, Strugë, Kërçovë, ndërsa nga ky vit akademik edhe në qytetin e Dibrës. Në ciklin e parë, studimet i vijojnë mbi 16 mijë studentë, të rregullt dhe me korrespodencë, si dhe mbi 1000 studentë në studimet e ciklit të dytë, studimet e magjistraturës.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close