KosovaLajmePolitika

Shërbimi sekret kosovar

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është zhvendosur në një ndërtesë të re.

Në një ceremoni të rezervuar, inaugurimi i ndërtesës së AKI-së, që konsiderohet si objekt i rëndësisë së veçantë, është bërë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, dhe drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj.

Në fjalën e saj, presidentja Jahjaga ka thënë se siguria e Kosovës është ende e sfiduar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, por se përkushtimi për t’i mposhtur ato nuk do të vihet kurrë në dyshim.

Ajo, më tej, ka thënë se mandati dhe puna e kësaj agjencie është e lidhur ngushtë me drejtimin, që ka marrë shteti i Kosovës.

“Mandati dhe puna e kësaj agjencie janë qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe janë të lidhura ngushtë me drejtimin që ka marrë shteti ynë, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë”, tha Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur bindjen se AKI, përveç se ka kapacitetin për të përmbushur detyrimet për vendin tonë, do të japë kontribut të çmueshëm edhe për sigurinë rajonale dhe globale.

“Unë jam i bindur se AKI-ja, përveç se ka kapacitetin për të përmbushur detyrimet dhe përgjegjesinë në vendin tonë, do të japë në vazhdimësi kontribut të çmueshëm edhe për sigurinë rajonale dhe globale. Në këtë aspekt, unë dua të falënderoj, në emër të Qeverisë së Kosovës, të gjitha shtetet mike të Kosovës dhe agjencitë e tyre respektive të inteligjencës, të cilat kanë ofruar ndihmën e tyre të çmuar për ngritjen e kapaciteteve të AKI-së”, tha Hashim Thaçi.

AKI është institucion, që është themeluar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në shkurtin e vitit 2008, ndërkaq kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj, ka thënë me këtë rast se ajo, në një afat rekord, ka ngritur kapacitetet operacionale dhe është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Besueshmëria, profesionalizmi, efikasiteti, paanshmëria dhe përkushtimi vetëmohues, kanë qenë dhe mbesin vlerat tona, mbi bazën e të cilave AKI, në një afat rekord, ka ngritur kapacitetet operacionale, është shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe ka arritur shumë suksese të prekshme. Ne, gjatë rrugëtimit tonë, gjetëm partnerë të fuqishëm, që ndihmuan në përballjen e sfidave, zhvillimin e kapaciteteve të duhura, si në njerëz, infrastrukturë, dhe logjistikë, të cilëve u jemi shumë mirënjohës për kontributin e tyre”, tha Bashkim Smakaj.

Pas kësaj ceremonie zyrtare, të ftuarit vizituan edhe disa nga hapësirat e reja të punës të objektit të ri, ku tani e në vazhdim do të kryejë punën e saj inteligjenca e Republikës së Kosovës.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close