VIP

Bleona Qereti gënjeu për pasurinë

Jemi mësuar të dëgjojmë për jetë luksi, bizhuteri të çmuara dhe pushime përrallore, por shifra me shumë zero deri më sot nuk kishit sesi të dëgjonit. Edhe këtë herë ishte Bleona ajo që “tronditi” opinionin publik me pasurinë e saj.

Nëse kërkoni të dini më shumë rreth pasurisë së saj, do të gjeni këto shifra në internet: “15 milionë dollarë”.

Deklarimi i pasurisë së Bleonës është publikuar nga disa portale online, ku mes të tjerash bëhet shkurtimisht një përmbledhje e karrierës së saj.

Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për shifra jo të vogla, edhe këto portale i kanë kushtuar më shumë rëndësi karrierës së saj në Shqipëri, mbase duke menduar që këtu do t’i ketë gjeneruar të ardhurat më të mëdha dhe një pjesë të vogël ia kanë atribuuar karrierës së saj në Amerikë.

blnaqereti

Nisur nga ky fakt, ne në “Vip Pages” kemi menduar të sjellim për ju pasuritë që kanë VIP-at shqiptarë. Disa prej tyre jetojnë ende me qira, e ndërsa të tjerëve do tu duheshin tri jetë për të pasur në llogaritë e tyre një shifër të tillë. Të gjithë njëzëri pohojnë se shifra e deklaruar nga Bleona është e fryrë dhe jo e vërtetë.

Kastro Zizo

Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, gjithë kjo bujë për lajmin e Bleonës e ka irrituar jo pak Kastro Zizon. Këngëtari kontrovers nuk i ka besuar shumë deklaratës së pasurisë së këngëtares. “Bleona nuk ka as 15 milionë morra, jo më dollarë. Ja fut kot fare, është e gjitha një mashtrim”, shprehet Klevisi. Nga ana tjetër, ai tregon se puna si artist nuk e ka pasuruar, por ia del që të bëjë një jetë të mirë. “Nuk është se jam bërë milioner, as nuk është se pretendoj të bëhem. Artistët në Shqipëri marrin maksimumi 200 mijë euro në vit. Natyrisht që jo të gjithë e marrin këtë shifër, ka që edhe paguhen më pak. Shifrat me shumë zero nuk ekzistojnë fare në fjalorin e një artisti shqiptar, është diçka e paarritshme”, ka përfunduar Kastro në prononcimin e dhënë për “Vip Pages”.

Venera Lumani

Venera e ka nisur karrierën e saj me hapa të ngadaltë, por ia ka dalë të jetë sot një ndër artistet më të kërkuara. Edhe këngëtarja me origjinë nga Maqedonia është habitur jo pak për shifrën e pasurisë së Bleona zotëron. Sipas saj, nuk është e mundur që këngëtarja të ketë këtë pasuri kaq të madhe. “Nuk di ç’të them për 15 milionë dollarë, më duket si shifër e pabesueshme. Unë personalisht nuk i kam aq dhe as nuk pretendoj t’i fitojë ndonjëherë. Puna ime si këngëtare më mundëson që t’ia plotësoj vetes dëshirat, por natyrisht brenda normave. Nuk mund të flas për shifra me shumë zero”.

Olta Boka

E pasur për të varfrit dhe e varfër për të pasurit”, kështu e konsideron veten Olta Boka. Këngëtarja e re u bë disa vite në skenë dhe është mjaft aktive në muzikën live, megjithatë aktiviteti i saj artistik nuk ka mundur që t’i sigurojë 15 milionë dollarë. Në lidhje me këtë, Olta shprehet se nuk e ka menduar ndonjëherë, por edhe nuk e përfshin veten në kategorinë e këngëtarëve që fitojnë shumë para dhe të mendojë që 15 milionë dollarë mund të bëhen në Shqipëri. “Ndoshta mund të bëhen, nuk mund të hyj në detaje apo në punën e gjithsecilit sesi i kanë bërë. Por meqë jam pjesë e tregut, më duket shumë e vështirë për të fituar 15 milionë dollarë. Unë nuk e di për sa kohë i ka bërë Bleona dhe sa vite i janë dashur”.

Marsela Çibukaj

Marsela Çibukaj nuk shkon shumë larg me krahasimet, ndërsa shprehet se artistët jetojnë më mirë se njerëzit e zakonshëm në Tiranë. “Në krahasim me një punonjës normal që jeton në kryeqytet, me siguri që të ardhurat e mia mujore janë më superiore. Nuk mund të flas me shifra, pasi nuk janë kurrë të stabilizuara dhe ndryshojnë nga periudha në periudhë dhe gjithçka është e pasigurt…”, pohon Marsela. Megjithatë, sipas këngëtares, të ardhurat vjetore të një artisteje aktive në muzikën live e projekte janë të mjaftueshme për një jetesë të mirë dhe për të kursyer për një shtëpi, apo për produksione të tjera muzikore, teksa i duket e pabesueshme shifra prej 15 milionë dollarëshe e Bleona Qeretit. “Duhen edhe 3 jetë të tjera për të kursyer 15 milionë dollarë”, ka thënë Marsela, që beson se këto lloj shifrash janë të ekzagjeruara. Teksa bën krahasimet me shifrat që publikojnë revista prestigjioze në botë, këngëtarja shprehet se kjo shifër është në të vërtetë një kërkim për vëmendjen që nuk e arrin dot ndryshe. “Janë pikërisht këto deklarata që tërheqin njerëzit në botën e artit. Duke mos qenë artistë vetë, e kanë bërë më joshëse këtë botë. Arsyeja pse njerëzit bëjnë muzikë është sepse përfitohet materialisht, ndërkohë që nuk është aspak ashtu. Talentet dhe artistët e vërtetë paguhen më pak nga këta pseudoartistë që prezantohen tek publiku duke deklaruar se marrin kaq të ardhura. Mua më duket komplet jashtë realitetit dhe dua fakte që të më bindin”.

Kejsi Tola

Për Kejsi Tolën koha nuk ka mjaftuar të bëjë para, ndonëse këngëtarja e re shprehet optimiste se në të ardhmen do t’ia arrijë. “Unë nuk mendoj se kam bërë pasuri për kaq pak kohë. Deri tani kam qenë studente dhe nuk mund të pretendojë pasuri. Mund të ketë artistë të pasur, por unë nuk e konsideroj veten të pasur”, shprehet këngëtarja, e cila është një nga përfaqësueset më të denja të Shqipërisë në Eurovizion. E pyetur mbi mundësitë e këngëtarëve shqiptarë për të krijuar një pasuri të konsiderueshme, ndoshta të përafërt me atë të Bleona Qeretit prej 15 milionë dollarësh, Kejsi pohon se ajo nuk e ka bërë kurrë këtë profesion për të menduar për përfitimet materiale. “Realisht nuk e kam menduar kurrë sesa mund të fitoj, si shifër. Sigurisht që do të ketë përfitime dhe ndoshta tani do të filloj të mendoj mbi përfitimet”. Sa i takon shifrës marramendëse në llogarinë e Bleonës, Kejsi shprehet: “Është e mundur, çdokush ka karrierën e tij, nuk e di çfarë ka bërë ajo, por edhe mund t’i ketë fituar. Unë vetë nuk kam kënduar për para”.

Show More

Related Articles

Back to top button