KosovaLajme

Edhe një dëshmi për krimet në Kosovë dhe fshehjen e dëshmive nga shteti serb

krimetRedaksisë së portalit e-novine i është lajmëruar polici Petar Dordevic (Gjorgjeviq) i cili akuzoi anëtarët e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme se kanë kryer krime monstruoze në Kosovë.

Ai thotë se ishte viktimë e Njësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Prokurorisë serbe për Krime të Luftës. Dordevic me gruan dhe dy fëmijë jeton në Lihtenshtajn. Thotë se është motivuar nga Slobodan Stojanovici dhe interesimi i opinionit publik për rastin e tyre dhe për gënjeshtrat që i kanë thënë prokurori Vladimir Vukcevic dhe zëvendësprokurori për Krimet e Luftës, Bruno Vekaric.

Diku në mars 2009, pas paraqitjes time dhe të tre kolegëve në TV B92 – me imazhet tona të errësuara – nga rrëfimet tona për krimet ndaj civilëve që kanë bërë policët dhe ushtarët kudo në ish RSFJ, e sidomos pas presionit të publikut, Prokuroria nisi hetimin kundër Radoslav Mitrovicit, komandant i Detashmentit 37 të Policisë Speciale të Serbisë, Nenad Stojkovicit, komandantit të çetës IV, si dhe disa policëve tjerë nga Leskoci dhe Vlasotinci.

Kur emisioni mbaroi, në rrugën nga Beogradi në Leskovc na thirrën disa miq dhe të afërm që thanë se të gjithë në qytet e dinë se ne ishim ata që kemi folur. Kështu filluan kërcënimet nga ana policëve ndaj familjeve tona. Në atë moment ne nuk e dinim si u kuptua kjo, por më vonë ishim të sigurt se Prokuroria ka ofruar informacion për çdo gjë tek ata të cilët i kemi akuzuar. Madje të akuzuarit i kishin të gjitha deklaratat tona me shkrim dhe kopjet e tyre i ndanin në qytet.

Nëpër Vlasotinc dhe Leskoc filloi në ndjekje e paparë në ne dhe familjet tona. Mua “personat e panjohur” ma kanë gjuajtur me gurë shtëpinë, i kanë thyer tjegullat e dritaret, ndërsa çdo ditë detyrohesha t’i dërgoj e t’i kthej fëmijët nga shkolla. Në stacionin e policisë në Leskoc kishin biseduar hapur që të më vrasin, ose djalin tim, sepse kam folur për krimet e tyre.

Të gjitha kërcënimet dhe sulmet unë dhe miqtë i lajmëronim te prokurorët Vladimir Vukcevic dhe Dragoljub Stankovic. Për këtë ka shënime zyrtare. Për të gjitha kërkesat tona ata na bindnim se nuk kemi nevojë për panik e as të shqetësohemi.

Pastaj ata vendosën të arrestojnë Radoslav Mitrovicin, Nenad Stojkovicin, Dragan Milenkovicin të quajtur Sisarka, dhe të tjerët. Kundër tyre janë ngritur akuza për disa gjëra pa kuptim, edhe pse ne kemi folur për krimet më monstruoze që ata dhe policët tjerë kanë kryer. Prokurorët kanë anashkaluar dhunimet e tmerrshme të shqiptareve, vrasjen e fëmijëve, plaçkitjet e shumta dhe djegiet masive të fshatrave të tërë…

Më larguan nga shërbimi, natyrisht për shkak të dëshmisë për krime. Është montuar procedura mia gjyqësore për posedim të paligjshëm të armëve, e ato i inskenuan policët e Vlasotincit, në mesin e të cilëve Dragan Milenkovic Sisarka që ka marrë pjesë në krime. Në gjykatë kam marrë dënim katërvjeçar, sepse unë nuk jam mbrojtur si duhet ndaj akuzave pa kuptim, sepse mendoja se këtu nuk ka asgjë me rëndësi. Në Gjykatën e Lartë dënimi është përgjysmuar.

Në ndërkohë, Nenad Stojkovic, i cili erdhi në pozitën e Shefit të Administratës Policore në Leskovc, tha: ‘Veç sa të shkosh në burg, se na ta përfundojmë tregimin”! Ai donte të më thoshte se nga burgu nuk do të dalë gjallë. Sepse, para kësaj kam lajmëruar për veprimet dhe kam dhënë deklarata kundër këtij grupi keqbërësish. Kam qenë kërcënim i madh për ta, sepse kam marrë pjesë në të gjitha aksionet e Detashmentit 37 në Kosovë me çetën e Leskocit. Unë i takoja sektorit të zbulimit.

Me 30 prill 2009, papritmas dhe pa paralajmërim në orët e mbrëmjes, në shtëpinë e familjes time, ku kam jetuar me gruan time, me dy fëmijë të mitur dhe një vajzë për të cilën ishim familje kujdestare, vijnë dy anëtarë të Njësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve, Velimir Perisic dhe Dejani (nuk më kujtohet mbiemri). Më kanë thënë se në afat sa më të shkurtë duhet të bëhemi gati e të shkojmë me ta, se kanë urdhër nga Prokuroria për Krimet e Luftës që të na “mbrojnë”, sepse jetët i kemi në rrezik. Nuk kishim kohë për të menduar, sepse ata nga ngutnin duke thënë: “Mos ia lëni pastaj dikujt fajin nëse nuk vini tash me ne”. Shkuam.

Kemi arritur në Beograd rreth orës 23.00. Që atëherë, e në dy vitet e ardhshme, ne thjeshtë ishim pronë e Njësisë dhe Prokurorisë, pa asnjë të drejtë njerëzore, skllevër… Menjëherë pas mbërritjes në Beograd na morën të gjitha dokumentet personale (pasaportat, kartat e identitetit, kartat shëndetësore, librezat e punës…) dhe telefonat celularë pa asnjë konfirmim me shkrim të konfiskimit, të cilat janë të nevojshme të jepen dhe të ceken shkaqet e marrjes. Në ditët në vijim jemi detyruar të bëjmë teste psikologjike (më vonë e kam ndërlidhur këtë me profilin e specifikuar të personalitetit, që të caktonin “masat” për ngacmim dhe torturë psikologjike). Kemi qenë të detyruar për të kaluar një ekzaminim të plotë fizik në rrugë Durmitor në Beograd, me skanim të detyrueshëm të EKG-së që ju bë pa nevojë edhe fëmijëve.

Më pas mua, me ditë të tëra, nga mëngjesi deri në mbrëmje, më merrnin në pyetje në vendndodhjen e Njësisë në ndërtesë të MPB-së. Njëri pyeste, e dy shkruanin me dorë. Marrja në pyetje kishte të bënte se çfarë krime kam parë, kë dua ta akuzoj, cili është motivi i dëshmisë dhe kush tjetër mund të dëshmojë për këtë dhe krime të ngjashme… Për këtë në dy vitet e ardhshme më kanë marrë në pyetje, nga dita në ditë .

Në banesë gjithmonë vinin pa paralajmërim dhe papritur, nga 4-5 anëtarë të Njësisë, gjithmonë të zemëruar dhe të shqetësuar, duke bërtitur se jemi barrë për shtetin dhe se sa kushton mbrojtja e dëshmitarit. E gjithë kjo para fëmijëve tanë të mitur. Ata disa herë vinin natën për të kryer bastisje, duke thënë se verifikojnë mos strehojmë dikën në banesë. Gjithashtu, ata e dinin se zotëroj më shumë se njëqind fotografi tek të cilat kam shënuar krimet të tmerrshme të policisë kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, si dhe dokumente të tjera. Shpesh i kanë kërkuar, që gjoja t’i ruajnë.

Gjatë i kam lutur nëse mund të flas me shefin e tyre, Milos Perovic. Më në fund, kur ia dola të takohem me të, i tregova në mënyrë të detajuar në lidhje me gjithë këtë dhe e luta të më mbrojë nga anëtarët e Njësisë, ndërsa ai qeshej me cinizëm e thoshte: “Epo, nuk është mirë ajo që ta kanë bërë e kjo nuk do të përsëritet”. Të nesërmen, herët në mëngjes vjen një banesë banda nga katër anëtarë të Njësisë, të udhëhequr nga ndihmësi i Perovicit, Velimir Perisic, i cili me britma tha se kundër meje do të iniciojë procedurë penale dhe se do të më largojë nga programi i mbrojtjes për shkak se kam guxuar të ankohen për sjelljen e tyre.

Meqë kam punuar në Beograd, shumë policë të Njësisë i njihja. I kam parë edhe në Rahovec ku është bërë masakra ndaj civilëve. Për mua kjo është e pakuptueshme dhe e pakonceptueshme: këta njerëz janë caktuar të kujdesen për mua që jam rrezik potencial për ta!

Me një rast, në rrugën deri në Prokurorinë për Krime, në makinë ishin Aleksandar Lukic, Sinisa Savic dhe një tjetër polic që nuk e njihja. Savic e tha me zë të lartë para tyre që të kem kujdes çfarë bëj që të mos përfundojë si Zoran Vukojevic…

Si gjithmonë kur dilja nga banesa, merrja fotografitë me dokumente, sepse kisha frikë se shkojnë në posedimin të Njësisë. Në Prokurori më ka pritur Dragoljub Stankovic që i kërkoi fotot dhe dokumentet që t’i ruajë në kasafortë. Ai tha: “Më njeh moti dhe do të ishte më mirë që t’i dorëzosh që këta të Njësisë mos t’i shkatërrojnë”. Unë i besova dhe ia dhashë tre albume me fotografi, si dhe dosjet me dokumente që dëshmojnë për krime të shumta të oficerëve të lartë të policisë dhe të anëtarëve tjerë. Më vonë nga Stankovici kam kërkuar t’i kthejë fotot dhe dokumentet, e ai në ato dosje më dha letra koti, si dhe një korrespodencë ndërmjet Prokurorisë dhe Fondit për të Drejtën Humanitare. E pyeta ku janë fotot e mia, e ai tha se këtu s’kam asgjë timen. Nuk i ktheu. Besoj se i ka shkatërruar, sepse kanë mundur të përdoren si dëshmi kundër zyrtarëve të lartë të policisë.

Shumë herë jam dërguar në Prokurori për “biseda”, siç thoshin Velimir Perisic dhe policët tjerë. Kjo dukej kështu: në njërën nga zyrat e Prokurorisë më kanë pritur Dragoljub Stankovic, Nebojsa Markovir, Mioljub Vitorovic dhe Snezana Stankovic të ulur në një gjysmërreth. Unë duhej të ulesha në mes, ndërsa rreth meje ishin disa policë të Njësisë. Që nga hyrja ime ata fillonin me kritika, poshtërime dhe kërcënime. Unë kështu me orë duhej t’i dëgjoja e të mos them gjë. Prokurorët më bërtitnin, se si me sjelljen time po kërcënoj jetët e policëve. Pas daljes nga Prokuroria, ndjehesha keq dhe i çorientuar. Në jetë më mbante vetëm ideja për fëmijët.

Arsyeja për sjellje të tillë ishte se unë me shkrim i jam drejtuar Fondit për të Drejtën Humanitare për të më ndihmuar që të shpëtojë nga kthetrat e Zyrës së Prokurorisë dhe Njësisë që në mënyrë të sinkronizuar e me poshtërsi kanë punuar për të më shkatërruar mua dhe familjen time, për të hequr unë dorë nga dëshmia dhe për të pezulluar procedurën penale kundër kriminelëve të luftës.

Kur koha kalonte, e unë nuk doja t’i tërhiqja akuzat, kam duruar kërcënime më të mëdha, shantazhe, tortura… Deri aty kanë shkuar sa që biri im (atëherë 12 vjeç) u sulmua fizikisht nga persona të panjohur me shkopinj. Kam raportuar këtë, por nga hetimet nuk doli gjë.

Tortura vazhdoi: vinin natën dhe kryenin bastisje, trokitnin në derë. Na ndalën ujin e ngrohtë, e pastaj ngrohjen. Ngroheshim me shporet duke ndezur të gjitha ringlat.

Bisedat me anëtarët e Njësisë ishin të tmerrshme. Më kanë pyetur: “A do ti të holla. A ke?”, ndërsa unë thosha se kam nevojë, sepse jemi pa bukë. Ata pastaj: “Sa keq që nuk do. Hajt gëzuar”. Ose: “Çka mendon ti, se jemi postierë të të sjellim para? Çfarë të duhen paratë”?

Kërcënuan se do të më heqin nga mbrojtja, ndërsa në Prokurori Dragoljub Stankovic tha të rri sepse çfarë do të bëj pastaj. Kam kërkuar ndonjë punë, që të ushqeja familjen. Më thanë se e kam të ndaluar. I përmendnin disa rregulla, ndërsa flisnin me hamendje. Gjatë tërë qëndrimit nuk i pash ato rregulla që ta di se çfarë guxoj e çka jo.

Nuk kisha kontakt me askënd. Ma ndalën telefonin. Nuk mund ta dëgjoja as nënën që më mbeti në shtëpi. Ky ishte një ekip i tmerrit.

Tortura vazhdoi edhe kur u ktheva në shtëpi. Vinin njerëz të panjohur, ofronin disa marrëveshje, dërgonin SMS. E pashë se duhet të iki nga Serbia. Tri herë nuk ia dola, e të katërtën herë po, falë Zotit.

E lash programin e mbrojtjes. Ika më 4 korrik 2011. Nuk do t’ia dilja po të mos më ndihmonte Fondi për të Drejtën Humanitare, duke më siguruar një makinë. Nuk kisha as para, asgjë. Ishim të shkatërruar.

(Petar Dordevic është pseudonim i bashkëpunëtorit. Atë e njeh edhe dëshmitari Slobodan Stojanovic dhe disa të tjerë nga Detashmenti 37 që shpejtë do të japin intervista për e-novine)

Show More

Related Articles

Back to top button