VIP

Vesa Luma: Jeta ime sentimentale?!

Pas koncerteve të pafundme nëpër qytetet bregdetare shqiptare, Vesa Luma me në fund do t’u kthehet pushimeve, ndërsa tregon se plane të reja dhe interesante e presin atë edhe në vjeshtë.

Sipas këngëtares, tanimë ajo ka të punuar edhe dy këngë të reja të cilat do t’i lançojë menjëherë pasi të kthehet nga pushimet që do t’i fillojë në javën e fundit të gushtit.

“I kam dy këngë pothuajse gati kështu që po pres të kthehem nga pushimet për t’i lançuar për publikun”, ka thënë Vesa gjatë një bisede të shkurtër për mediat kosovare. Ajo ka thënë se të dyja këngët janë ritmike, por nuk ka dashur që të tregojë se cilit zhanër i takojnë, pasi dëshiron t’i lërë surpriza për publikun. “Nuk po e përmend zhanrin dhe as njerëzit që jam duke punuar me ta, por është e sigurt që do të ketë diçka më ndryshe”.

Vesa, e cila u përmend se do të marrë pjesë sivjet në festivalin “Kënga magjike” nuk ka dashur që të tregojë se a janë të vërteta këto spekulime. “Do të jem pjesëmarrëse e festivaleve edhe këtë vit, sepse garat dhe skenat e mëdha më tërheqin shumë dhe më japin sadisfaksion, por nuk po e bëj të ditur se në cilin festival do të marr pjesë saktësisht”, ka thënë ajo.

Kurse për këngën dhe hitin e saj veror “Ti po don”, që deri më tani është klikuar më shumë se 250 mijë herë në youtube.com, Vesa thotë se e teston suksesin më së miri kur këndon para publikut të saj. “Gjithmonë i marr përsipër reagimet e njerëzve gjatë koncerteve dhe aty kuptoj nëse kënga është dëgjuar dhe pritur mirë.

Me atë çfarë kam parë këtë verë, jam shumë e lumtur që kjo këngë është pritur mirë dhe është një hit veror”, thotë këngëtarja. Ajo thotë se të gjitha këto këngë që i ka kënduar këto vite, ka menduar për t’i përmbledhur në një album të ri. “Pra, mendoj se këtë vit do ta përmbyll me një album -përmbledhje të këngëve të vjetra, por edhe disa këngëve të reja, -për të plotësuar dëshirën e fansave të mi”.

Vesa po ashtu ka shpalosur se do të shkojë për pushime në fund të javës së gushtit. “Pushimin po e filloj javën e fundit të gushtit, ndërkohë sa i përket anës sentimentale, po dëgjoj poshtë e lart thashetheme nga më të ndryshmet, por meqë asnjëherë s’kam dalë unë vetë të prononcohem, po i lë ato thashetheme të rrjedhin edhe pak derisa ta shoh të arsyeshme të flas unë vetë për jetën time private”, – tha në fund Vesa.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button