Vritet Rama në Durrës, policia në kërkim të autorit!

81

Një i vrarë dhe dy të plagosur në një lokal në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Mësohet se ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së djeshme, ku u ekzekutua me plumb në kokë një 31-vjeçar, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur, një prej të cilëve më rëndë.

Mësohet se viktimë e atentatit mbeti 31-vjeçari Robert Rama nga Laçi, ndërsa të plagosur Arnold Velaj, 32 vjeç dhe Alfons Ismaili, 50 vjeç.

a75-650x358

Mënyra e ekzekutimit ka qenë gjakftohtë dhe e kryer gati në perfeksion. Fillimisht, dy autorët kanë zbritur nga një motor dhe më pas në pak minuta montuan automatikun dhe u futën brenda në lokal. Në këto çaste njëri prej autorëve rrëmben një karrige e godet në kokë dhe trup Ramën.

viktima-rama

Pasi e shtrijnë në tokë, i vendosin armën në kokë dhe e qëllojnë vetëm me një plumb. Më tej, duke u larguar ata qëllojnë me breshëri, duke lënë të plagosur dy personat që ndodheshin në tavolinën pranë 31-vjeçarit. Nga burime të policisë mësohet se Rama me banim në Tiranë ka qenë person me precedent të mëparshëm penal, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Tepelenës për vjedhje me armë. Gjatë kontrollit të bërë, në trupin e tij u gjet një armë pistoletë. Ndërsa banorët e pyetur shprehen se e kanë parë të vijë në lagjen e tyre vetëm tri-katër herë në javët e fundit.

Dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje edhe me të shkuarën e 31-vjeçarit, por gjithashtu po punohet edhe në pista të tjera hetimore. Aktualisht, policia është vënë në kërkim të autorëve, të cilët kanë mundur të largohen duke përfituar edhe nga errësira. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa gëzhoja armësh.

Tashmë po punohet për identifikimin e autorëve, të cilët kryen një ekzekutim të tipit mafioz dhe më pas në qetësi të plotë u larguan nga vendi i krimit. Në komisariat u shoqëruan disa persona të cilët janë dëshmitarë të ngjarjes, por ata mundën të japin shpjegime vetëm për të dhënat trupore, pasi e patën të pamundur identifikimin më të hollësishëm sepse që të dy autorët mbanin në kokë kaskë motori. Ngjarja është konsideruar si tepër e rëndë dhe në tri ditë në qarkun e Durrësit u shënuan katër vrasje, duke vënë në alarm të gjithë Drejtorinë e Policisë së këtij Qarku.

Comments are closed.