BotaLajme

Djali i Gadafit është i lirë – VIDEO

Djali i Muamer Gadafit, Saif al-Islam, për të cilin luftëtarët rebelë kanë thënë se e kanë kapur, ka bërë një paraqitje të befasishme së bashku me përkrahësit e tij në Tripoli.

Duke iu referuar kryengritësve si “tradhtarë”, ai u ka bërë thirrje besnikëve të regjimit të luftojnë kundër atyre që “pretendojnë se kanë 95 për qind të Tripolit nën kontroll”.

Siç kemi rënë dakord, ne do të armatosemi sot dhe do t’i luftojmë tradhtarët sot – me ndihmën e Zotit”, tha al-Islam.

Me paraqitjen e tij nga një hoteli i Tripolit – ku qëndrojnë shumë gazetarë të huaj – ai tha se babai i tij ndodhet në vend të sigurt dhe se kryeqyteti nuk ndodhet në duart e rebelëve.

Fillimisht dua t’i mohoj të gjitha thashethemet. NATO-ja dhe Perëndimi kanë teknologji moderne dhe ata kanë bllokuar komunikimet. Ata ndaluan televizionin shtetëror. Ata krijuan një luftë mediatike dhe elektronike, për të përhapur kaos dhe frikë në Libi”, tha al-Islam.

Sipas tij, luftëtarët rebelë kanë pësuar numër të madh viktimash gjatë përpjekjeve për të sulmuar kompleksin e Gadafit në Tripoli, i cili thuhet të jetë mbrojtur nga trupat libiane me tanke dhe automjete të tjera të blinduara.

Al-Islam, i kërkuar së bashku me babanë e tij nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime, ka bërë paraqitjen pas njoftimit të prokurorit të gjykatës, Luis Moreno Okampo, se forcat rebele kanë konfirmuar kapjen e tij.

Të hënën, një zëdhënës i gjykatës tha se kjo e fundit ka kërkuar transferimin e al-Islamit në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime kundër njerëzimit.

Ai dhe Gadafi akuzohen për orkestrimin e një plani që do të mposhte revoltën e Libisë me “çdo mjet të nevojshëm”.

Akuzat përfshijnë vrasjen e qindra protestuesve anti-qeveritarë dhe plagosjen e qindra të tjerëve nga të shtënat me municion të vërtetë drejt turmës. Akuzat gjithashtu përfshijnë arrestimin dhe torturimin e shumë kundërshtarëve politikë të regjimit të Gadafit.

Paraqitja e al-Islamit dhe tërheqja e rebelëve nga disa pjesë të Tripolit gjatë natës, sinjalizojnë se lufta për kryeqytetin libian nuk ka përfunduar ende dhe se mund të pasojnë gjakderdhje të mëtutjeshme.

Vendndodhja e Gadafit mbetet e paqartë, derisa Tripoli është zhytur në errësirë, pasi furnizimi me energji elektrike është ndërprerë kudo.

Ambasadori i kryengritësve libianë në Uashington, Ali Sulejman Ajuali, tha se Gadafi duket të jetë arratisur. Ai tha se trupat e tij nuk mund ta mbajnë Tripolin për kohë të gjatë.

Gadafi është i paparashikueshëm. Ai do të bëjë çdo gjë tani. Përse ka vrarë popullin libian deri më tani? Do të vazhdojë për të fituar betejën? Jo. Kjo është hakmarrje. Ai vetëm do të vrasë. Ai do t’ia mësojë leksionin popullit të Libisë. Ai do të bëjë çdo gjë kundër popullit të tij. Por, megjithatë, besoj se nuk ka mjete dhe hapësirë për ta ndërmarrë këtë veprim”, tha Aujali.

Jusuf Aradat, kryengritës nga brigada e Tripolit, tha se ditët e Gadafit dhe të regjimit të tij janë të numëruara.

E dimë se Bab Al-Azizia – kompleksi i Gadafit – ka ende fuqi dhe tanke atje. Ky është informacioni i fundit. Tani jemi duke bërë planin tonë, që është një plan i mirë, për të marrë Bab Al-Azizian. Duam të shkojmë me sa më pak gjaderdhje. Ka pasur mjaft gjak në këtë vend. Duam ta marrim Bab Al-Azizian dhe ta vëmë flamurin tonë atje”, tha Aradat.

Kreu i Këshillit Kombëtar të opozitës në Bengazi, Mustafa Abdel Xhalil, deklaroi të hënën se “epoka e Gadafit ka marrë fund”. Ai shfaqi shpresën se Gadafi do të kapet i gjallë, në mënyrë “që të përballet me një gjykim të drejtë”.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button