LajmeMaqedoniaPolitika

Gruevski kërkon zgjedhje të shpejta, BDI konsensus

Partitë në pushtet në Maqedoni përkrahin zgjedhjet e parakohshme, mirëpo nuk janë të koordinuara për afatet kur duhet të mbahen ato.

Përderisa partia e kryeministrit Nikolla Gruevski kërkon që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt që është e mundur e jo në qershor siç kërkoi opozita, partia shqiptare BDI kërkon që zgjedhjet të mbahen pasi të arrihet konsensus i plotë politik.

“Zoti Cërvenkovski, pesë muaj çdo ditë kërkon zgjedhje dhe thua se jemi në pushtet pa mbështetjen e popullit edhe pse zgjedhjet i kemi fituar në mënyrë legjitime. Ja zgjedhje menjëherë, pa vonesë, pa asnjë prolongim, pa blerë në kohë. Të thërras në zgjedhje , qartë dhe zëshëm dhe është e guximshme të pranosh. Eja në zgjedhje të shikojmë se kush është popullor, e kush jo popullor”, deklaroi Gruevski.

Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja ka përsëritur se BDI nuk ka qenë për zgjedhje të parakohshme në këtë periudhë, por është e gatshme t’i pranojë si rrugëdalje e vetme nga gërçi aktual politik.

“Ne e ftojmë opozitën të kthehet në Parlament dhe bashkë të krijojmë kuhste për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ne po punojmë për zhvillim të dialogut politik, në mënyrë që për zgjedhjet e parakohshme të arrihet konsensus politik mes mazhorancës dhe opozitës”, deklaroi ajo. Të hënën partitë opozitare LSDM dhe PDSH parashtruan disa kërkesa me të cilat kushtëzuan pjesëmarrjen në zgjedhje.

Analistët nuk përjashtojnë mundësinë që opozita të bojkotojë zgjedhjet, në rast se pushteti nuk i përmbush kushtet e tyre.

BDI: Maqedonia nuk ka kapacitet edhe për zgjedhje edhe për regjistrim

Pjesa më e madhe e partive politike në Maqedoni pajtohen se në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, duhet të prolongohet procesi I regjistrimit të popullsisë.

“Nuk ka dilemë se Maqedonia nuk posedon kapacitet për të organizuar edhe zgjedhje të parakohshme edhe procesin e regjistrimit”, deklaroi deputetja Mehemti-Devaja.

DR-ja pro shpërbërjes së Parlamentit

Kriza e thellë në të cilën gjendet vendi nga politikat e gabuara qeveritare, enciklopedia, Shkupi 2014, Kisha në Kala, regjistrimi përjashtues për mbi 250.000 shqiptarë, bllokimi i proceseve integruese në NATO dhe BE, ekonomia katastrofale janë arsye të fuqishme që mandati t’i kthehet popullit dhe populli të vendos si më tej, tha Imer Selmani kryetar i DR-së përmes një komunikate për mediat. “Ofertën nga ana e pushtetit për zgjedhje të parakohshme, Demokracia e Re e pranon pa kushtëzime dhe pa afate. Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë maksimal. Ditën e parë që kryeparlamentari Veljanovski do të caktojë në rend dite vetëshpërbërjen e Parlamentit, Demokracia e Re do të jetë në Parlament dhe do të votojë ‘pro’ këtij vendimi”, thuhet në kumtesë.

LSDM nuk kthehet në Kuvend pa plotësimin e kushteve

Ndaj deklaratës së kryeministrit, ka reaguar partia e Branko Cërvenkovsit. Në reagimin me shkrim të LSDM-së thuhet se kryeministri nuk tregon gatishmëri për pranuar kërkesat e opozitës që janë kusht për zgjedhje demokratike dhe korrekte. Social-demokratët e Cërvenkovskit kanë bërë të ditur se derisa nuk pranohen kërkesat e tyre ata nuk do të kthehen në Kuvend.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close