LajmeMaqedoniaPolitika

Lëvizja për Shqipërinë e shqiptarëve të Maqedonisë

Xhezair Shaqiri -Hoxha ka vendosur t’u bashkangjitet ideatorëve tjerë kombëtarë në lëvizjet për përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Shqiptarëve u nevojitet një bashkim, një Lëvizje gjithë popullore shqiptare nga Maqedonia, e cila do t’i mbrojë interesat e popullit që po shkelen vazhdimisht. Shqiptarëve u nevojitet një Shqipëri e shqiptarëve të Maqedonisë. Ka disa muaj që kemi pasur kontakte të shumta me parti të ndryshme të shqiptarëve të Maqedonisë, intelektualë dhe shoqata joqeveritare, me të cilat kemi rënë dakord që të formohet një Lëvizje për bashkim, ku në platformën e saj do të parashihen gjitha kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë”, tha Hoxha.

Së shpejti do të dilet me një Platformë që do t’iu ofrohet shqiptarëve të Maqedonisë, ku do të ftohet elektorati shqiptar të votojë për një parlament të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Ne nuk na intereson rroga e Kuvendit të Maqedonisë, por për t’i mbrojtur interesat shqiptare, ne do të formojmë një Kuvend të shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup. Shqiptarët e Maqedonisë nuk ju intereson të hyjnë në NATO ose në BE pa i gëzuar të drejtat e tyre elementare në shtetin ku jetojnë. Marrëveshja e Ohrit nuk është përfunduar dhe ne konsiderojmë se Marrëveshja e Ohrit është varrosur nga LSDM, VMRO dhe aleatët e tyre shqiptarë. Andaj, nëse marrim mandatin e popullit, kjo lëvizje do ta kushtëzojë qeverinë e Maqedonisë që brenda një muaji të përgatit një Marrëveshje të re shqiptare –maqedonase”, tha Hoxha.

Ai tha se do të formohen edhe institucione paralele. “Jemi të vetëdijshëm se maqedonasit nuk do ta pranojnë këtë veprim pasi nuk e kanë pranuar edhe deri më tani, por ne do të vazhdojmë me hapa të tjerë konkret duke formuar edhe institucione paralele të shqiptarëve të Maqedonisë”, tha Hoxha.

Gjëja e parë që shqiptarët do të kërkojnë nga taksa paguesit shqiptar do të jetë refuzimi i tatimit dhe kontributeve të tjera ndaj shtetit të Maqedonisë, pasi as përqindja më e vogël nuk investohet në dobi të shqiptarëve, përveç disa renovimeve të shkollave, disa metrave asfalt nëpër fshatra, etj. Me miliarda euro në vit të taksapaguesve shqiptarë, po ndërtohen kisha, manastire, përmendore dhe financohen projektet të ndryshme si Shkupi 2014. Këtyre projekteve anti shqiptare duhet t’iu vij fundi përgjithmonë.

“Maqedonia mund të ekzistojë vetëm si shtet dyetnik, si shtet i dy popujve shumicë, i maqedonasve etnik dhe shqiptarëve. Përkrahës dhe ideator të kësaj Lëvizje gjithë popullore shqiptare që pritet të promovohet së shpejti janë Xhezair Shaqiri, Bardhyl Mahmuti, disa intelektual të përkushtuar që punojnë për kauzën shqiptare, shoqata joqeveritare etj”, tha Hoxha, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë që në këtë projekt të jenë të gjitha subjektet shqiptare të cilat deri tani nuk kanë mundur t’i lëvizin punët në favor të elektoratit shqiptar.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button