ArsimiKosovaLajme

Pa provim pranues në shtatë fakultete

Rezultati i provimit shtetëror të maturës dhe suksesi i treguar gjatë shkollimit të mesëm, do tu mundësojë maturantëve që në vitin e ri akademik të regjistrohen në shtatë fakultete të Universitetit të Prishtinës pa provim pranues.

Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Prishtinës (UP) kanë vendosur që këtë vit grupit prej tri fakulteteve, që vitin e kaluar regjistruan studentët sipas rezultateve të testit të maturës, t’i shtohen dhe katër njësi të tjera akademike.

Maturantët sivjet kanë mundësi të regjistrohen pa provim pranues në shtatë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës. Zëvendës ministri i arsimit, Nehat Mustafa, tha se Ministria dhe UP-ja kanë arritur marrëveshjen që në vitin akademik 2012-2013, të shtohen edhe katër fakultete të tjera, ku studentët e rinj do të regjistrohen pa provim pranues, raporton RTK.

“Bëhet fjalë për Fakultetin e Bujqësisë, i cili ka qenë edhe vitin e kaluar, pastaj vitin e kaluar kemi pasur Inxhinierinë Mekanike dhe Fakultetin e Shkencave Matimatikore-Natyrore. Këtë vit janë shtuar edhe Fakulteti i Inxhiniersisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Gjeoshkencës dhe Teknologjisë si dhe dy fakultete, në Ferizaj dhe Pejë, që kanë të bëjnë me shkencat e aplikuara”, thekson Mustafa.

Mustafa tha se pas takimeve me zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, kanë rënë dakord që studentët e rinj, të cilët do të konkurrojnë në këto fakultete të pranohen vetëm në bazë të rezultateve të provimit shtetëror të maturës:

“Këtë vit do të jenë shtatë njësi akademike në të cilat nuk do të ketë provim pranues, por pranimi studentëve do të bëhet drejtpërdrejt duke u bazuar në suksesin e shkollës së mesme dhe në rezultatin e testit të maturës”.

Zëvendës ministri i arsimit, Nehat Mustafa, tha se është strategji e Ministrisë dhe Universitetit të Prishtinës, që çdo vit të rritet numri i fakulteteve, në mënyrë që vitin e ardhshëm të përfshihen të gjitha fakultetet, përveç Mjekësisë, Arteve dhe Arkitekturës.

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close